“Mes librave mbante revole dhe njihte 9 gjuhë të huaja”, gazetari rrëfen udhëtimin nga Vjena në Shkodër me Ndre Mjedën: Hapi krahët nga malli! Sapo u shfaq liqeni…

NGA PJETER LOGORECI

N’mendjen e çdo shqyptarit, Dom Ndre Mjeda asht nji simbol kombëtar, nji burrë që mëshiron n’figuren e tij, t’gjitha vlerat e karakterit, inteligjencës e parimeve t’genit arbnor.

Për ne shkodranët, që e kena pasë “ma afër” ka edhe ndoj plus ma tepër, mbasi shumë kend e lidhin me dijetarin Mjeda, histori, ndodhi e njohje t’përbashëta, që ia rrisin personalitetin e tij n’shkalle sipërore, aq sa na bahet pikë referimit e shëmbelltyrë për t’mirë.

E jo vetëm shqyptarët, por edhe europjanët që patën kontakte apo njohje me Dom Mjedën, flasin me superlativa për dijet, punën, artin e tij, gjenialitetin e tij n’shumë fusha, aq sa “t’huejt” mrekullohen deri n’admirim kur e përjetojnë atë nga afër.

Dishroj me sjellë për lexuesit e dashamirët e Dom Ndreut, përshtypjet e gazetarit gjerman Paul Siebertz, i cili vizitoj Shqypninë n’shoqninë e poetit, fjalët që la ky autor n’librin e tij me kujtime t’udhëtimit me titull “Albanien und die Albanesen”, n’shqip “Shqypnija dhe Shqyptarët”. Libri asht n’gjermanisht e kje botue n’Vjenë n’vjetin 1910.

Paul Siebertz ishte kryeredaktor i disa gazetave t’njohtuna e autor i shumë librave, t’botuem prej vjetit 1902 deri 1953, si dhe botues i njohtun. N’Vjenë ai drejtoj gazetën e përditshme “Das Vaterland”

I mrekulluem prej çka pa, Paul Siebertz, n’librin e tij, i kushton nji kapitull Kuklit, katundit ku punoi dhe jetoi për shumë vjet Dom Ndre Mjeda. Unë kam zgjedh disa rreshta që m’kan ba përshtypje, ku autori përshkruen me emocion e admirim shqyptarët, natyren, e portretizon me fjalë t’zgjedhuna madhështinë e poetit tonë kombëtar Dom Ndre Mjeda:

RRUGËS PËR N’KUKËL

(DOM NDRE MJEDA)

…. Prej xhades n’të djathtë shihet Mali i Barbullushit, diçka 400m i naltë, e pak ma n’skaj, si t’mshehuna buzë kodrës, dallohen shpitë e Kuklit, katundit ku jem nisë me shkue, ku ndodhet famullija e Dom Ndre Mjedës, i cili po i prin rreshtit. Famullija e sapo ndertueme e Dom Ndreut, spikatë e bardhë rranxë malit, tuj rrezatue si me dashtë me i dhanë t’zot mirëseardhjen, mbas mungesës t’gjatë.

Dom Ndreu po kthehet prej Vjenet, ku shoqnoj t’vllaun, Imzot Lazrin t’sapo emnuem Arqipeshkëv i Prizrenit e Shkupit, t’cilit ju desh me operue Apendisitin n’Sanatoriumin Offen t’Vjenës.

Unë, Dom Ndreun, e njoha n’dhomën e t’vllaut, Imzot Lazrit, n’spital. Kur mori vesht që kisha vendosë me vizitue Shqypninë, u tregue i gatshëm me shoqnue grupin tonë. U gzova shumë mbasi prifti ishte njohës i mirë i Ballkanit dhe kulturës s’tij. Vendosëm t’takoheshim me te n’Raguzë, mbasi Dom Ndreut i duhej t’kalonte nga Budapesti e Sarajeva, ndërsa udhëtimi jonë do t’ishte nga Fiume e Spliti e do t’kryqëzoheshim n’Kotorr.

Si asht e muejtun…, pata mendue, kur n’Malt t’Zi e pashë tuj hapë krahët prej mallit sapo u shfaq Liqeni i Shkodrës e masivi i alpeve t’Veriut t’Shqypnisë, si asht e muejtun, që ky burrë që ka shëtit e njeh kulturën e Europës, me jetue e me dashtë aq shumë nji vend t’mbrapambetun nga ekonomia e kultura, si Shqypnija?

Por, sa ma shumë pata fatin me ndejë n’shoqninë e tij, aq ma shumë e kuptojshe atë dhe dashninë e pakufishme t’tij për Shqypninë, t’cilës dy vllaznit Mjeda i kushtuen jetën.

N’synin tem, Imzot Lazri asht misionari i devotshëm, intelektual e nji bari i përulun për besimtarët, ndërsa Dom Ndreu asht, dijetari i heshtun, zotnues i 9 gjuhëve t’hueja, puntor i palodhun për unifikimin e gjuhës e alfabetit kombëtar (i mbështe tun nga Konsulli austriak Kral), njohës i mirë i gjuhës e shkrimit shqip. Dom Ndre Mjeda asht jo vetëm dijetar i gjuhës e shkrimit shqip, por edhe bujk e fermer praktik që drejton e i mëson bujqësinë popullit t’tij. N’ekonomitë bujqësore t’Kuklit, ai ka sjellë makina bujqësore t’ndryshme e mëson katundarët si t’i përdorin. Me orë udhtojnë njerzit për te Dom Ndreu me msue për makinat, por edhe për ndërtimin e mjeteve t’transportit, ndërtimin e shpijave t’reja funksionale ku ai e ka nda pjesën e banimit prej pjesës ku mbahen bagtitë, e për t’ia demostrue këtë zadrimorëve, ai ka ndertue me duert e tij, afër famullisë, nji ndërtesë model. N’Kukël, Dom Ndreu ka projektue e ndertue gjithshka me duert e veta. Ai asht i pari që futi n’Shqypni nevojtoren (Watercloset) moderne.

Sot, asht e shtunde, e rruga asht plot me katundarë që kthehen prej pazarit t’Shkodrës ngarkue me prodhime t’nevojës s’përditëshme. Secili prej tyne shtërngon n’krah martinën angleze e n’brez revolverin Gasser, që i japin atyne nji pamje burrnore..

“Kjoftë levdue Jezu Krishti”, përshëndet Dom Ndreja t’njoftunit e tij katolikë, t’cilët me dorë n’zemër përgjigjen: Gjithmonë e jetës, ndërsa me kujdes, atyne që nuk i njeh, që mund t’jenë muslimanë i drejtohet: A je burrë? A muejte?

Burrat shqiptarë me pushkë n’sup, shoqnojnë qerret ngarkue me mallnat e nevojshme, prej sheqerit e kafes deri te baruti e plumbi që i duhet për armët e tyne. Kur shkuem n’Kukel, u befasuem kur n’tavolinen e punës t’Dom Mjedës, n’mes librave e dorëshkrimeve, pamë nji revole t’kalibrit t’madh Gasser, me dorezë t’stolisun n’argjend. Te shqyptarët arma asht e pandashme, për arsye sigurie n’rrugë e n’udhëtime, por edhe për burrni, pashi, zakon e traditë.

N’Kukël mbrritëm n’buzëmramje. Mbasi regulluem kuajt, Dom Mjeda na tregoj kuzhinën e ahrin e shpisë tij n’rranxë t’malit, që për ka bukurija e organizimi ishin thesare t’vertetë. Mandej u ulem n’tarracën e shpisë me qetsue trupin me nji birrë t’mrekullueshme që miqtë e Dom Ndreut ja kishin sjellë prej Shkodre. Para nesh shtrihej fusha e mrekullueshme e Zadrimës, ndërsa mbi ne nji qielli i shndritshëm i mbushun n’hyje, nji bukuri e papërshkrueshme natyrore, t’cilen ja pata lakmi priftit t’Kuklit. Larg mbi nji kodër shiheshin dritat e Selisë Ipeshkvnore t’Nënshatit, ndërsa dritat e tarracës tonë, shndritshin ma fort, si me dashtë me i tregue Ipeshkvit që miku i tij ishte kthye prej udhtimit.

Dom Ndreu m’tregoi për popullsinë e zonës, sa shumë i donte këta njerëz, që gjithë jetën e dijet e tij ia kishte kushtue atyne: Çfarë përparimi do t’kishte nëse nuk mund t’i jepshim përmbajtje e qëllim jetës sonë përmes heqjes dore, punës e sakrificës?

Atë natë, aty n’atë vend t’vetmuem, tuj ndigjue atë çka prifti i devotshëm tha, u magjepsa dhe fillova ta admiroj.

Mandej prifti i dijtun filloi me m’tregue për Shqypninë e ndodhi t’ndryshme t’ktij vendi….

Mbas ktij përshkrimi t’bukur, nga nji i huej për dijetarin Mjeda, dishroj me shtue, që edhe unë kam pasë rastin, tuj shoqnue Mjedologun Mentor Quku n’Austri, me pa e vizitue vendet ku jetoi e punoi Dom Ndreu n’Vjenë, me pasë n’dorë letra e dokumente arkivore që kanë lidhje me punën e jeten e tij, korespondencën me albanologët austriakë e gjermanë mbi alfabetin e gjuhën shqipe, por edhe disa vepra t’botueme n’Vjenë me ndihmen e financimin e miqve t’tij austriakë.

Rikthimi i Zogut dhe tërheqja e Ndre Mjedës nga politika

Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër dhe është ndarë nga jeta më 1 gusht 1937. Ai është ndër poetët më të spikatur të Rilindjes Kombëtare.

Veç veprimtarisë së tij si poet, Mjeda vlerësohet për kontributet në miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Mësuesia dhe meshtaria ishin dy prej aktiviteteve që i ushtroi gjatë gjithë jetës së tij. Më 20 nëntor 1866 lind në Shkodër Ndre Mjeda. Ai studioi për teologji dhe më pas ka punuar si mësues dhe shërbeu famullitar në fshatra të ndryshme, periudhë kur lidhet me lëvizjen patriotike. Poema e tij me e njohur është “Vaji i bylbylit”, e cila përshkohet nga thirrja për liri. Më 1901, themelon shoqërinë “Agimi”, krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtarinë e tij patriotike autoritetet osmane e arrestojnë. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes; më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e lëvizjes demokratike (1920- 1924), Ndre Mjeda merr pjesë në jetën politike dhe u zgjidhet deputet. Pas kthimit te Zogut, tërhiqet nga jeta politike dhe punoi si prift në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe ndërroi jetë në këtë qytet më 1 gusht 1937.

ARSIMI

Nga 1887 deri më 1891, Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Nga viti 1891, Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Më 1893 gjendej në Goricia, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1898 për arsye fërkimesh mes Vatikanit dhe Perandorisë Austro-Hungareze, Mjeda u përjashtua nga Shoqëria e Jezuit. Më 1899 e abatit Doçi, u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë “Bashkimi”. Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë “Agimi” i përkrahur edhe nga Xanoni e Logoreci. Shkurtin e 1902 i dërgon një letër apokrife konsullatave të huaja për kërkesat që kishin kryengritësit mirditorë në atë kohë. Nga 17 marsi i 1905 deri më 15 mars 1906 shërbeu si famullitar në Dajç, dhe më pas në Kukël.

Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit. Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit, ku në mars të 1914 hartoi një projekt për krijimin e një ferme bujqësore moderne të cilin ia dorëzoi konsullit të përgjithshëm të Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër, Hallas. Organizoi qëndresën kur serbët ripushtuan zonën dhe në ikje e sipër e arrestuan në janar të 1916. Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, u thirr në Shkodër si anëtar i Komisís Letrare dhe më 11 dhjetor 1916 u emërtua veprues i Komisisë me rrogë. Në maj të 1917 ndërmori një ekspeditë shkencore trijavore në qytetin dhe krahinën e Elbasanit për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, që Komisia kishte vendosur të ishte baza e shqipes së njësuar. Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës, u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën.

Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor 1921 u caktua në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij. Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes. Pas Lëvizjes jetëshkurtër të qershorit dhe rikthimit të Zogut, tek po bëhej gati të shkonte me autobus në Tiranë që të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925. U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër. Ndërroi jetë më 1 gusht 1937 nga një atak në zemër.

KRIJIMTARI

Gjatë viteve studentore nisi të shkruante poezi, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1886 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino.

Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: Karduçi, Paskoli, D’Anuncio si dhe autorë letërsisë latine. Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe tekstet e vjetra shqipe. Në krye të shoqërisë “Agimi” botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike me kroatishten si model.

Me këtë alfabet Mjeda dhe Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme. Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji.

Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Bogdanit (1930) dhe të Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933). Ndër bashkëkohësit e Rilindjes, Mjeda kishte letërkëmbim me Nikolla Naçon, të cilit i shprehte dëshirën që ta ndihte të lidhej me rilindas të tjerë. Mjeda u interesua që herët për veprën e albanologëve që bënë studime e botime mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kësodore pati një letërkëmbim të rëndësishëm me Meyer, Pedersen, Thomsen, Thurneysen, Krymbacher, Kretschmer, Bloomfield, Brugmann, Tagliavini, Patsch, Jagiq, Nachtigal, Skok, Jokl, Reinisch, Karabacek, Mueller, Schroeder, Jarnik, Lambertz, Meillet, Viezzoli, Valentini, Cordignano, Teza, Nopça, Thalloczy dhe Weigand.

Exit mobile version