Mesazhet që po jep Basha

Fatmir TERZIU

Ajo që kryetari i PD-së, Lulzim Basha, argumentoi në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, kishte në thelb “austeritetin”. Më saktë atë të lidhur me situatën e politikës shqiptare. Ishte kjo si një “dëshmi” e kësaj politike, që ka arritur kulmin me vitet dhe kohën e qeverisjes Rama. Dhe thelbi është tek paraja. Paraja që kontrollon çdo gjë, dhe sigurisht paraja e krimit dhe ajo e lidhur me të si një dëshmi reale. Kjo “dëshmi”, që qartësohet me “austeritetin politik”, duket se ia ka marrë frymën jetës në vend dhe se mbi këtë fakt ka humbur shpresa e vetë jetës së shqiptarëve, të cilët duan vetëm të ikin nga sytë këmbët, pasi aty “nuk respektohet talenti, i zoti, konkurrenca e ligjshme… dhe se aty në dorë fatet dhe ekonominë e kanë një grusht pushtetarësh dhe një grusht oligarkësh”.
Në fakt kjo është një anë me të cilën Basha reagon dhe komenton realitetin tek austeriteti, i cili kap pikën e vet më delikate. Pikën tek e cila është paraja dhe tek e cila varet vetë politika, më tej vetë ekonomia. Në thelbin e argumentit të z. Basha, shumë probleme kuptohen se kanë lidhjen mes vetë masave “shtrënguese” dhe faktit të ndikimeve të tjera, që sjellin në debat austeritetin. Por çfarë saktësisht është kjo fjalë? Pse rrethrrotullohen mjaft dilema rreth kësaj fjale?
Fjalorët e ndryshëm dhe përkufizimet në lidhje me këtë japin argumente që variojnë dhe ndryshojnë. Merriam-Webster e përkufizon atë si: “Një situatë në të cilën nuk ka të holla dhe është shpenzuar vetëm në gjëra që janë të debatueshme”, ose “sforcim apo ekonomi ekstreme”, që në fakt të shpie tek paraja që kalkulohet nga ardhje të paligjshme. Dhe këto ardhje janë dhe faktori bashkë me produktin e asaj që lidhet me vetë politikën. Politika?!
Kjo natyrisht del nga një pyetje që drejtuesi i emisionit, Sokol Balla, i drejtoi zotit Basha, për rezolutën: “Nëse më 15 dhjetor nuk e marrim, sigurisht që fajin e ka qeveria, por ju a ndjeni përgjegjësi?” dhe mirëkuptohet nga përgjigjja që Basha jep: “BE do të vazhdojë të ekzistojë, ndërsa ne do të vazhdojmë të përballemi me një situatë ku krimi është shtrirë në mbarë vendin, droga po shkatërron shoqërinë shqiptare dhe paratë e saj rrezikojnë zgjedhjet e ardhshme”. Pra, qartësia e të vërtetës shkon tek paratë e drogës, që sipas kryedemokratit, tentojnë të mbajnë peng jo vetëm politikën, por tërë vendin.
Më tej përgjigjja tjetër “Po ta kisha në dorë, firmosja që nesër hapjen e negociatave”, e cila jo vetëm vërtetoi të vërtetën në lidhje me lajmin e trilluar nga Partia Socialiste, se opozita kërkoi në Bruksel që Shqipërisë mos t’i hapen negociatat, por hapi dhe një sipar të ri të rrjedhës politike, që në fakt bazohet tek të vërtetat nga “politika e re” e modelit Basha, e cila duket qartë se jep shpresat e para, ato shpresa të munguara, për të luftuar austeritetin këtë fakt të dukshëm e të padukshëm që vret prosperitetin dhe shpresën pa u ndjerë.
Kjo është dhe një lojë mes absurditetit dhe trillit. Kryetari i opozitës shqiptare e theksoi qetë dhe prerë se, “PD nuk ka asnjë vendimmarrje për hapjen e negociatave, por kjo gjë i takon vendeve anëtare të Bashkimit Europian”. Dhe e vërteta është kështu sipas z Basha: “Komisioni ndërparlamentar Shqipëri-BE nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen për hapjen e negociatave”, duke theksuar gjithashtu se nëse kjo çështje do të varej nga kryetari i PD, do të firmoste menjëherë hapjen e negociatave.
Në të vërtetë, trillimi me të cilën Kryeministri Rama përdor, duket se është “ilaç” turbullues për të shmangur krizën dhe një mjet ku ai shfryn nervozizmin e tij, më saktë ka të bëjë edhe me faktin e krizave të shumta të qeverisjes së tij, kjo si një mënyrë e qartë që tregon se pajtohet me atë, të cilën e kritikon opozita, sidomos me shqetësimin e situatës për drogën në vend. Gjatë emisionit në fjalë, Basha shprehu shqetësimin për situatën e drogës në vend dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lulzim Basha akuzoi qeverinë se me paratë e kanabisit po përgatitet shkatërrimi i zgjedhjeve, për të blerë votat e qytetarëve.
E që të luftohen fenomene të tilla, që rrethkapen tek austeriteti dhe paraja, Basha shkon më tej, tek politika, madje tek vetë partia që drejton. Basha tha se do të propozojë që zgjedhjet për kryetarin e PD-së të bëhen çdo dy vjet, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të krijojnë alternativa dhe ta konkurrojnë, por duke lënë pa thënë dhe atë më të rëndësishmen që nënkuptohet, për të mënjanuar e ngushtuar mundësitë e mbajtjes peng të politikës mes parasë së lartcituar. “Unë kam nisur ta bëj këtë. Kam vendosur votën në themel të strukturave të PD. Jam i vendosur që të eci në rrugën e vlerave dhe PD do të jetë partia e parë që do të aplikojë një anëtar një votë edhe për kandidatët për deputetë. Ne do të kufizojmë pushtetin e kryetarit duke propozuar katër mandate nga dy vjet, çdo dy vjet kryetari të jetë në test dhe do ta bëj të lehtë që ata që duan të kandidojnë le të kandidojnë”, tha Basha.
Por, ndërsa austeriteti, e sidomos ai politik, është më shumë se thjesht, një eksperiment laboratorik për teorinë makroekonomike, ajo që synon Basha duket se është vetë “politika e re” e modelit të tij, që rreket nga e vërteta.
Ajo është ndërtuar mbi instinktet mes elektoratit rreth sigurisë, po aq edhe drejtësisë, që janë zbehur nga krizat e këtyre viteve të demokracisë dhe tranzicionit, të cilat, sipas leximit të ideve të Bashës, besoj se kanë arsye faktike për të dhënë tjetër shpresë, tjetër jetë me këtë një politike të re në “vend”, që nis dhe nga pranimi i gabimeve në të shkuarën. Kjo në fakt dhe kuptimi i saj ka qenë shumë i ngadaltë për të kuptuar rëndësinë e vendit të diskursit politik pas ideve të hedhura me kohë nga z. Basha. Kjo politikë e re, së pari përshkruan karakterin e politikës së Bashës dhe tregon se si e ka riformatuar të drejtën për të justifikuar atë që ai e thekson si të drejtë për ata që mishërojnë axhendën e tyre të angazhimeve në politikën reformiste. Basha duket qartë se ka tashmë projektin më të qartë që i duhet politikës, Shqipërisë, e pse jo të ardhmes.

Exit mobile version