Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka dhënë një mesazh të fortë pas takimit me shefen e misionit të OSBE/ODIHR në vendin tonë, Aydrey Glover, të cilës i ka dorëzuar dhe një dosje me të gjitha shkeljet e 30 qershorit.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kryemadhi shkruan se është shumë e rëndë për demokracinë shqiptare dhe turp për klasën politike që 29 vite pas vendosjes së demokracisë vazhdojmë flasim për pamundësi mbajtjesh së proceseve zgjedhore.
Sipas kryetares së LSI, votimet farsë të 30 qershorit ishin maskarada më e madhe, por edhe e fundit, duke theksuar se Shqipëria do të ketë zgjedhje demokratike.
“Sot pata kënaqësinë të takoja Ambasadoren Audrey Glover. I dorëzova asaj një dosje voluminoze me të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për votimet moniste të 30 qershorit.
Është shumë e rëndë për demokracinë shqiptare dhe turp për klasën politiken që 29 vite pas vendosjes së demokracisë pluraliste, vazhdojmë flasim për pamundësi mbajtjesh së proceseve zgjedhore në respekt të ligjit.
Akoma nuk kemi një proces zgjedhor ku qytetarët të votojnë të lirë e në mënyrë të fshehtë pa ndikimin e krimit të organizuar dhe intimidimin e tyre me bukën e gojës apo vendin e punës, si dhe ku rezultati në reflektimin e vullnetit real të qytetarëve të jetë i gjithëpranuar nga palët.
Votimet farsë të 30 qershorit ishin maskarada më e madhe, por besoj edhe e fundit! Shqipëria do ketë zgjedhje demokratike, sipas parimeve europiane, nga të cilat do dalin përfaqësues që do rivendosin shtetin e së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në rrugën e duhur”, shkruan Kryemadhi.