Një protestë u zhvillua sot në Fier nga të afërmit e familjes Gushi, që u shua tragjikisht në një aksident. Një moment shumë prekës ishte leximi i ditarit të njërës prej vajzave që ndërroi jetë.
Bëhet fjalë për ditarin e Anastasias së vogël, 14-vjeçarja e cila mezi priste të vinte në Shqipëri për pushime, pa e ditur e priste një fat tragjik. Babai i saj Eduart Gushi, nëna Silvana Gushi dhe motra e vogël Eva Gushi ndërruan jetë në aksidentin e ndodhur në autostradën Fier-Vlorë.
“Ditën e zezë një dashamirës na thotë që në rrugën e mallkuar të Vlorës kemi gjetur një ditar fëmije. Na e sjell dhe shikojmë që është ditari i engjëllit tonë Anastasias. Anastasia ka shkruar disa vargje për ardhjen në Shqipëri, për pushimet e saj.
Më datë 15 qershor Anastasia shkruante; “Sapo filloi behari dhe për një muaj do të shkojmë në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që do të takoj nënën, gjyshin, tezen. Dua kur të vete në Shqipëri, të dalë dhe të blej shumë gjera. Dua të vete në shumë vende që nuk kam vajtur dhe të blejë shumë gjëra.
Po nuk vajtëm se di, por babi do na blejë tabletë të dyjave. Bëj shaka. Dua të vetë, por dua shumë të marr tabletin se nuk bëj dot mësimet. Sot vajtëm nga parku dhe lozëm. U kënaqëm. Por jam shumë e mërzitur dhe nuk e di pse. Babi do iki në punë”, – thuhet në një pjesë të rrëfimit në ditarin e Anastasias.
14-vjeçarja e quante ditarin “Junakuk”, ndërsa mbyll rrëfimin e saj në ditar me fjalët: “Junakuk, kanë mbetur edhe 15 ditë për të ikur në Shqipëri, jam shumë e lumtur të vemi në Shqipëri. Atje do kënaqemi. Do jem e lumtur. Jam e lumtur. Ti ke thënë që të jem e lumtur. ‘Junakuk’ dua të them se e nxora mesataren këtë vit 16, por vitin tjetër të premtoj se do ta nxjerr më shumë. Të jap llafin….”.