Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në facebook, pas takimit me ambasadoren e re të SHBA, Yuri Kim.
“I kënaqur të prisja dhe të pranoja Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të SHBA, znj.Yuri Kim. SHBA një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.
Së bashku të përballojmë me sukses sfidat që ka vendi. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!” shkruan Meta, bashkëngjitur videos nga takimi me ambasadorene e SHBA.
Ndërkohë, edhe Presidenca reagon pas takimit, duke zbardhur detaje të reja të bisedës mes ambasadores Yuri kim dhe Presidentit Ilir Meta. “Presidenti Meta e uroi Ambasadoren Kim dhe e siguroi për mbështetje të plotë në realizimin me sukses të misionit të saj në Shqipëri, në interes të forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë.
“SHBA janë një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Së bashku të përballojmë me sukses sfidat që ka vendi”, – theksoi Kreu i Shtetit. Presidenti Meta shprehu angazhimin e Tij të plotë për forcimin e rolit të Shqipërisë, si faktor kyç për stabilitetin e rajonit dhe orientimin e tij euro-atlantik”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Mëngjesin e sotëm ambasadorja e re e SHBA në Tiranë, Yuri Kim i dorëzoi Presidentit Ilir Meta letrat kredenciale. Ajo shoqërohej në këtë takim, nga e dërguara me punë e SHBA, Leyla Moses-Ones.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.
Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.