Mesfushori i çudit të gjithë: Bayerni drejtohet ende nga… Guardiola!

Thiago Alcantara ka zbuluar se Bayern Munich vazhdon të përdorë të njëjtat filozofi loje, që Pep Guardiola “stampoi” në këtë skuadër, edhe pse trajneri spanjoll është larguar prej tri vitesh nga kampionët e shumëfishtë gjermanë. Mesfushori spanjoll ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në “Allianz Arena”, nën drejtimin e katër trajnerëve të ndryshëm.

Niko Kovac është në sezonin e tij të parë në krye të klubit bavarez, pasi zëvendësoi Jupp Heynckes, ndërsa Thiago ka fituar titullin nën drejtimin e Carlo Ancelottit dhe Guardiolës. Sidoqoftë, ky i fundit, sipas Thiago, ka pasur ndikimin më të madh te Bayerni. “Përfundimisht, Guardiola la shenjën e tij në klub, sepse ai dhe idetë e tij na kanë formësuar jashtëzakonisht si ekip, – tha 28-vjeçari për DAZN.

– Ne mund ta ndiejmë Pep ende në fushë, në disa situata të ndeshjes. Ende bëjmë gjëra, që ai na i mësoi. Megjithatë, mendoj se kemi marrë gjëra pozitive nga secili prej trajnerëve tanë dhe i kombinojmë ato. Pep bëri të mundur që unë të ecja përpara nga akademia e të rinjve të Barcelonës në ekipin e parë të Barçës. Ai më mësoi shumë. Kushdo që vjen në ekipin profesionist si lojtar i ri duhet të mësojë çdo ditë.

Me të trajner mësoni shumë më shpejt, më tepër detaje. Pep ishte një ndihmë e madhe për mua, që nga fillimi, edhe këtu te Bayerni. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë, nëse jo më i miri. Jam i sigurt se do t’i japë shumë futbollit në vitet e ardhshme. Unë besoj se kontrollimi i lojës është mënyra më e mirë për të arritur sukses në futboll.

Nëse e quani Tiki-Taka, Taka-Taka, apo çfarëdo, është e rëndësishme që të kontrollosh ndeshjen në çdo situatë. Me fjalë të tjera, nëse je në posedim të topit, e ke të qartë se duhet të mbrosh mirë. Nëse kundërshtari ka topin, duhet të jesh i gatshëm ta detyrosh që të bëjë gabime dhe të përfitosh nga ato. Ky superioritet, me ose pa top, është gjëja më e rëndësishme për mua”.

Exit mobile version