Vjen edhe i katërti dhe është Sinan Bytyqi, lojtari i Manchester City-t dhe Austrisë, që do të veshë fanellën e Kosovës.
Lajmi konfirmohet nga Bajram Shala, zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës, që e ka bërë të ditur lajmin përmes Facebook-ut.
Bytyqi është prej vitesh pjesë e City-t dhe momentalisht po stërvitet me skuadrën e parë bashkë me Bersant Celinën, raporton Gazeta “Olle”. Deri tani ka luajtur me të gjitha grupmoshat e reja të Austrisë. Ai është mesfushor me tipare sulmuese.
Futbollisti i Manchester City-t, Sinan Bytyqi, e ka konfirmuar ekskluzivisht për portalin “Infokusin” se do të luajë për Kosovën.
Ai ka thënë se nuk ka qenë fare problem që të vendosë pasi çdo herë ka pasur dëshirë të luajë për vendlindjen e tij.
“Po do të luaj për Kosovën. Nuk e kam pasur të vështirë të vendos, pasi gjithë kam pasur dëshirë që të luaj për vendin ku kam lindur. Familja ka qenë ajo që më ka ndihmuar të vendos. Edhe Celina më ka folur fjalë të mira për përfaqësuesen e Kosovës”, është shprehur Bytyqi, i cili ka luajtur për grupmoshat e reja të Austrisë.
21-vjeçari ka theksuar më tej se të hënën ka pasur takim me përzgjedhësin e Kosovës, Albet Bunjakin me të cilin ka biseduar për projektin e ri të Kosovës.
“Dje jam takuar me Bunjakin në Manchester. Ai ma ka treguar projektin e tij dhe më ka pëlqyer shumë. Ai më ka thënë se ka dëshirë të më ketë në ekip dhe unë kam pranuar që të jem pjesë e projektit të Kosovës”, tha për “Infokusi.com”, mesfushori i City-t dhe Kosovës.
Në fund ai ka një mesazh për tifozët e Kosovës: “Do të luaj me zemër dhe do t’i gëzojmë tifozët e shumtë që kemi. E kemi bërë një ekip shumë të mirë dhe besoj në suksese”.
Sinan Bytyqi ka pasur 19 paraqitje për grupmoshat e reja të Austrisë dhe ka shënuar 10 gola, ndërkaq është pjesë e skuadrës angleze, Manchester City. Bëhet fjalë për një futbollist të talentuar dhe në këtë rast Kosova ka përfituar shumë me të.