Osassuna rezistoi për 59 minuta lojë pa pësuar gol ndaj Barcelonës, por më pas për më shumë se gjysmë orë katalanasit dominuan në Pamplona, duke fituar me rezultatin e thellë 0-3. Një fitore e rëndësishme kjo për të besuarit e Luis Enriques, që i rikthehen suksesit pas tre barazimeve radhazi.
Pas rasteve të shpërdorura në fraksionin e parë, Luiz Suarez zhbllokoi sfidën i asistuar nga Jordi Alba. Ishte sërish mbrojtësi i majtë që u dha mundësinë për të realizuar Lionel Mesit në të 72-të.
Argjentinasi shënoi të dytin personal në këtë përballje në kohën shtesë, pasi vallëzoi mes mbrojtjes vendase.
Valencia pësoi humbjen e radhës në transfertë këtë radhë në fushën e Real Sociedadit, që fitoi me rezultatin 3-2. Willian Jose shënoi dy gola të shpejtë në minutat 2 dhe 24, ndërsa valencianët mundën të reagonin vetëm në fund të pjesës së parë me Parejon, që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në të 60-ën Carlos Vela humbi një 11-metërsh, duke e mbajtur të hapur takimin deri në përfundimin të kohës së rregullt, gjithsesi në kohën shtesë skuadra baske realizoi edhe të tretin me Juanmi. Valencia, që luajti nga minuta e 82-të me një lojtar më pak, pas ndëshkimit të kuq të Cancelos, e shkurtoi sërish diferencën me Bakkalin, por pa mundur ta shmangte humbjen.
Arsenal fiton me përmbysje
Skuadra e Arsenalit ka marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-1 kundër Stoke Cityt. Fillimisht në minutën e 29′ ishin miqtë ata, të cilët kalojnë të parët në avantazh, pasi Adam nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Të besuarit e Arsene Wenger janë ‘zgjuar’ duke shënuar golin e barazimit me anë të Walcott (42’), ndërsa Mesut Ozil (52’) ka shënon një gol mjaft të bukur me kokë, duke na sjellë iluzionin e golit të Robin van Persie në Botërorin ‘Brasil 2014’. Golin e qetësisë për Arsenalin e shënoi Iwobi (75’). Pas kësaj fitoreje skuadra e Arsenalit ka përfituar nga humbja e Chelseas dhe ka marrë kryesimin e Premier Leagues angleze me 34 pikë të grumbulluara.
Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi në minutën e 25 ka lënë fushën e lojës si pasojë e një dëmtimi në përballjen kundër Stoke Cityt.
Trajneri i’topçinjve’, Arsene Wenger mendoi ta zëvendësojë për të futur në vendin e tij, Hector Bellerin. Gjatë momentit të largimit të Mustafit nga fusha e lojës, të gjithë tifozët në “Emirate Stadium” janë ngritur në këmbë për të përshëndetur ‘yllin’ shqiptar.