Mesi kthehet me gol

I kthyer te Argjentina, Lionel Mesi u shfaq menjëherë vendimtar, duke shënuar golin e fitores 1-0 përballë Uruguajit. Yllit të Barcelonës i mjaftoi më pak se një pjesë loje, për të rifituar adhurimin e tifozëve dhe të shndërrohet sërish në liderin e skuadrës “Albiceleste”, duke harruar zhgënjimin në Kupën e Amerikës. Një magji nga ato të zakonshmet, ku kontrolli me thembër u shoqërua nga goditja me të majtën, që falë një devijimi përfundoi në rrjetë. Mesi kishte edhe detyrën të ngushëllonte Paulo Dybala, që në ndeshjen e parë si titullar te Argjentina, u ndëshkua me karton të kuq, pak sekonda përpara pushimit të lojës. Skuadra e Bauza-s siguroi tri pikë që e ngrenë në krye të grupit kualifikues të Amerikës Jugore drejt Botërorit 2018.
Kapiten dhe autor i golit që i dha fitoren Argjentinës në ndeshjet eliminatore të “Rusi 2018” ndaj Uruguait, Lionel Mesi ishte në qendër të vëmendjes së mediave, që e bombarduan me pyetje për vendimin që mori pas humbjes me Kilin në finalen e Copa America Centenario. 29-vjeçari është sërish pjesë e përfaqësueses bardhekaltër dhe kjo është ajo që ka shumë rëndësi në këtë moment.
“E pata shumë të vështirë një tjetër humbje me Kilin në finale. Isha shumë afër trofeut. Pas gjithë asaj sakrifice që kishim bërë si grup ishte shumë e vështirë ta pranonim dështimin. Ta nisja gjithçka nga zeroja më duket diçka e pamundur, prandaj deklarova tërheqjen në atë moment. Mirëpo e vërteta është se unë jam sërish këtu me kombëtaren dhe ndihem shumë i lumtur”, u shpreh Mesi.
Mesi mohon të jetë shtyrë nga dikush apo të ketë patur qejfmbetje, por thjesht ishte një vendim i momentit, por që më pas u rivlerësua. “Unë nuk dëgjova njeri kur e mora vendimin. E bëra, sepse ashtu e ndjeja dhe nuk po ankohesha për asgjë. Nuk veprova në atë mënyrë se doja të mashtroja njeri. Më vonë gjërat ndryshuan dhe unë jam sërish me kombëtaren”, tha ai.
5 herë fituesi i Topit të Artë e pranon se reagimi i tifozëve nga e gjithë Argjentina ndikoi në vendimin e tij për t’u rikthyer në kombëtare. “E vërteta është se kurrë nuk e imagjinoja këtë reagim të tifozëve në momentin kur e mora vendimin. Ishte thjesht një vendim i momentit, duke dëgjuar mendjen dhe zemrën. S’e besoja se do të kishte një reagim të tillë nga njerëzit. Kam marrë shumë mesazhe nga e gjithë Argjentina kjo ishte e mrekullueshme për mua”, tha Mesi.
Mjaft mirë edhe Brazili i Tite-s, që fitoi 3-0 në fushën e Ekuadorit. Një sukses i realizuar falë klasit të Neymar dhe ndeshjes pozitive të Gabriel Jesus. Pas një pjese të parë të vakët, “seleçao” ndryshoi në fraksionin e dytë, me aktivizimin e Coutinho-s. Sulmuesi i Liverpool fitoi 11-metërshin e shndërruar në gol nga Neymar në minutën e 70’. Sfida u vendos nga dy golat e Gabriel Jesus, me sulmuesin e ri të Manchester City, që shkëlqeu në minutat e fundit. Në të 87’-ën Gabriel Jesus realizoi një gol të shkëlqyer me finte, ndërsa në të 92’-ën vulosi suksesin e Brazilit.
Asnjë problem për Kolumbinë, që fitoi 2-0 ndaj Venezuelës së vendit të fundit me golat e James Rodriguez e Torres, ndërsa “Cafeteros” shpërdoruan edhe dy penallti. Zhgënjen Kili, që u mposht 2-1 nga Paraguaji. Vendasit shënuan dy herë në 10 minutat e para të sfidës me Romero dhe Da Silva, ndërsa rrjeta e Vidal në të 36’-ën nuk i shërbeu Kilit për të evituar humbjen. Në fund, Escobar e Raldes vendosën fitoren 2-0 të Bolivisë përballë Perusë, me të dyja skuadrat që nuk kanë më shanse drejt Botërorit 2018.
Grupi kualifikues i Amerikës së Jugut kryesohet nga Argjentina e Bauza-s me 14 pikë, e ndjekur nga Kolumbia, Ekuadori dhe Uruguai me 13 dhe Paraguaji e Brazili që ndjekin në kuotën e 12 pikëve. Me vendin e pestë, “seleçao” është vetëm 1 pikë larg kualifikimit direkt.

Artikulli paraprakStrakosha zhvendoset portier i dytë te Lacio
Artikulli tjetërItalia mundet nga Franca