Barcelona ka siguruar vendin e parë në Grupin C të Ligës së Kampioneve dhe Luis Enrike ka premtuar se do të bëjë rotacion ndaj Borusia Mynshengladbah. Por ai konfirmoi se një lojtar është i paprekshëm mes titullarëve: Lionel Mesi.
Argjentinasi i ka vënë si qëllim vetes që të shënojë sa më shumë në Ligën e Kampioneve, për të vendosur disa rekorde të reja në këtë sezon. Mesi ka realizuar 9 gola në 5 ndeshjet e para në fazën në grupe, por synon që ndaj klubit gjerman nesër të arrijë të shënojë edhe të paktën 2 të tjerë, për të barazuar rekordin e 11 golave në fazën e grupeve që mbahet nga Kristiano Ronaldo.
Portugezi është objektiv i tij edhe në garën për të marrë vendin e parë në renditjen e të gjitha kohëve për golashënuesit e Ligës së Kampioneve. Ronaldo kryeson aktualisht me 95 gola, ndërsa Mesi ka 92. Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se kush do të marrë vendin e parë përkohësisht, sepse të dy janë të ndërgjegjshëm që kryesimi do të ndryshojë herë pas here edhe në edicionet në vazhdim.
I gjithë diskutimi është mbi atë që do shkruajë emrin si i pari që shënon 100 gola në turneun më të rëndësishëm për klube në Europë.