Mesi pezullohet 4 ndeshje

Argjentina humbet Lionel Mesin për katër ndeshje radhazi, ku përfshihet edhe sfida me Bolivinë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim të mundshëm apo ndonjë problem tjetër, por për shkak të dënimit që sulmuesi i Barcelonës ka marrë nga Komisioni i Displinës pranë FIFA-s. 5 herë fituesi i “Topit të Artë” është pezulluar katër takime për ofendim të asistentit të arbitrit në takimin me Kilin, të cilin Argjentina e fitoi pikërisht falë një penalltie të shndërruar në gol nga “Pleshti”. Sipas raportit të zyrtarëve në përfundim të ndeshjes u përfshi në një debat të ashpër me arbitrat brazilianë, duke shkuar deri në ofendim, për shkak të disa faullave të padhëna sipas argjentinasit.
Mesi që është gjobitur gjithashtu 10 mijë franga zvicerane, mund të kthehet në dispozicion të trajnerit Bauza vetëm për takimin e fundit eliminator të “Rusi 2018”, më 10 tetor kundër Ekuadorit. Mungesa e Mesit është një humbje shumë e rëndësishme për Argjentinën, pasi gara deri në përfundim të eliminatoreve do të jetë shumë e fortë. Përfaqësuesja bardhekaltër renditet në vendin e tretë, në zonën që të çon direkt në “Rusi 2018”, por vendi i pestë dhe i gjashtë janë vetëm 2 pikë larg.

Artikulli paraprakBarcelona po vëzhgon Dibalanë
Artikulli tjetërDe Shiljo dhe Suso trembin Milanin