Lionel Mesi do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tri javë, sipas njoftimit të mjekëve të klubit katalanas. Argjentinasi pësoi një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë kundër Atletikos dhe për këtë arsye do i nevojitet një periudhë e konsiderueshme riaftësimi.
Mes ndeshjeve që ai do të humbasë, janë edhe ato të kombëtares së Argjentinës kundër Perusë dhe Paraguait, respektivisht më 6 dhe 11 tetor. Në fakt, trajneri i ekipit përfaqësues, Edoardo Bauza, nuk e ka pritur mirë dëmtimin apo mungesën e mundshme të sulmuesit.
“Nga Barcelona na kërkojnë gjatë gjithë kohës që të kujdesemi për Mesin, por ata nuk është se e bëjnë shumë një gjë të tillë”, ka nisur deklaratën e tij tekniku për “Fox Sport”. “Do të flas me Leon për të kuptuar se si është dhe se çfarë shqetësimi ka specifikisht. I vetmi informacion që kemi është komunikata për shtyp e Barcelonës, por që për mua nuk mjafton.
Dua të marr informacione të hollësishme për gjendjen e lojtarit. Do të jenë mjekët e kombëtares ata që do të vendosin nëse ai mund të grumbullohet dhe të luajë në dy ndeshjet e radhës apo jo. Nuk ka për të qenë një vendim që mund ta marrë stafi mjekësor i Barcelonës. Madje, mendoj se e vetmja gjë që janë duke bërë ata është keqtrajtimi.
Nuk arrij dot të gjej një arsye se pse e kanë aktivizuar Mesin në çdo ndeshje, pavarësisht se e dinë që ka probleme fizike. Janë duke e shfrytëzuar në maksimum, pa u kujdesur thuajse për asnjë moment se mund të dëmtohet”, u shpreh Bauza.
Një akuzë direkte për klubin spanjoll, me të cilin drejtuesit e kombëtares së Argjentinës nuk është se kanë pasur raporte të mira përgjatë gjithë këtyre viteve. Kanë qenë pikërisht grumbullimet me përfaqësuesen arsyet e konfliktit mes palëve, pasi te Barça e cilësojnë si një shpenzim i madh energjie për yllin e tyre. Në përfundim të Kupës së Konfederatave, “Pleshti” vendosi që t’i japë fund aventurës së tij me përfaqësuesen, por më pas ndryshoi mendim dhe është në dispozicion të trajnerit të ri, Bauza.