Mesi, rinovim me 40 milionë euro sezoni

Barcelona nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e Lionel Mesit, pavarësisht zërave të merkatos që e shohin “pleshtin” argjentinas sa te Paris SG, Manchester City apo edhe Interi i pronarëve të rinj “Suning”. Nga sa raportojnë mediet spanjolle, palët janë shumë pranë akordit për rinovimin e kontratës së futbollistit, me atë aktualen që i skadon në fund të qershorit të 2018-ës. Është pikërisht e përditshmja sportive “AS”, e cila thotë se mungon vetëm gjetja e një dite të përshtatshme për takimin mes presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeu, dhe babait-agjent të futbollistit, Jorge Mesi, të cilët thuhet se kanë shkëmbyer mesazhe optimiste.
E sigurtë është, gjithsesi, se drejtuesit e Barcelonës që mbikëqyrin llogaritë financiare të klubit po punojnë sipas “AS” në lidhje me bilancin, pas rinovimeve tepër të kushtueshme me Neymar dhe Suarezin. Megjithatë, ata kanë ndarë bindjen se edhe rinovimi i Mesit mund të kryhet.
Sa i përket argjentinasit, bëhet fjalë për një propozim rinovimi për 3 vite të tjera, me një pagë prej 35-40 milionë euro në vit. “Ekipi i ka fuqitë për ta mbajtur këtë lojtar”, ka theksuar zv/presidentja e “blaugranave”, Susana Monje.
Skuadra e Barcelonës ka fituar pa probleme në mbrëmjen e sotme takimin në transfertë përballë Eibarit. Katalanasit triumfuan bindshëm me rezultatin 0-4 falë golave të Denis Suarezit në minutën e 31-të, Lionel Mesit në minutën e 50 dhe Luis Suarezit në minutën e 68 dhe Nejmarit në minutën e parë të shtesës.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 19 të La Ligës në Spanjë dhe pas kësaj fitoreje, Barcelona ka grumbulluar 41 pikë duke mbajtur vendin e tretë, 1 pikë pas Seviljas dhe 2 pikë pas Realit. Duhet përmendur fakti që madrilenët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Artikulli paraprakKryqëzohet Pogba
Artikulli tjetërKush është “ylli i vërtetë” i Trump tek CIA?