MSN apo BBC, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga El Clasico i radhës mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, shifrat thonë MSN, me tredhëmbëshin sulmues të skuadrës blaugrana që është më i besueseshëm se ai i Los Blancos. Falë edhe tre yjeve të saj, Barca ka grumbulluar 10 pikë më shumë se Reali pas 30 javëve të para dhe kjo është një e dhënë që tregon për efikasitetin përpara portës të treshes, Mesi-Suarez-Neymar. 69 gola numëron tredhëmbëshi i Barcelonës në këtë sezon të La Ligas kundrejt 63 finalizimeve të treshes së përbërë nga Bale-Benzema dhe Ronaldo.
Gjithsesi për të fituar duelin e golave treshja sulmuese e Barcës ka zhvilluar 7 ndeshje më shumë se ajo e Los Blancos, pasi Mesi-Suarez dhe Neymar kanë luajtur në total 23 takime së bashku, ndërsa Bale-Benzema e Ronaldo vetëm 16 kjo natyrisht vjen si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar këta futbollistë në periudha të ndryshme. Tredhëmbëshi i Barcelonës fiton ndaj ai të Realit edhe përsa i përket golave të shënuar në El Clasico. Mesi-Suarez dhe Neymar, kur kanë qenë të tre së bashku në lojë e kanë dërguar në 12 raste topin në rrjetën e portës së Realit, ndërsa Bale-Benzema dhe Ronaldo vetëm 11 herë në atë të Barcelonës. Për të kuptuar që treshja e skuadrës katalanase është më e besueshme se ajo e asaj merengues mjafton të shikosh golat e realizuar krahasuar me goditjet në portë në këtë sezon të La Ligas.
Edhe pse numëron në total vetëm 322 goditje në kuadrat tredhëmbëshi i Barcës ka shënuar 69 gola, ndërkohë që ai i Realit pavarësisht se i ka goditur portat kundërshtare më shumë më ekzaktësisht në 333 raste ka realizuar vetëm 63 gola. Gjithsesi përqindjen më të lartë të shënimit e ka një madrilen dhe ai është Karim Benzema me 24,7, pas tij vinë Bale dhe Suarez me Cristiano Ronaldon që pozicionohet në vendin e fundit nga këta 6 lojtarë përsa i përket saktësisë përpara portës. MSN apo BBC të shohim se cili do të triumfojë këtë herë.
Lionel Mesi apo Diego Armando Maradona? Kjo pyetje do të mbizotërojë gjithmonë në kokën e të gjithëve, pasi 5-herë fituesi i Topit Artë me klasin, stilin dhe personalitetin që shfaq në fushën e lojës ngjason gjithnjë e më shumë me “El Pibe De Oro”. Në ndeshjen mes Argjentinës dhe Bolivisë, takim në të cilin shënoi golin numër 499 në karrierë, Lionel Mesi i mahniti të gjithë me lojën dhe driblimet e tij, si rast i minutës së 60-të, kur Leo dhuron spektakël me futbollistët kundërshtarë që edhe pse të shumtë në numër që nuk arrijnë ta frenojnë dot. Të shtunën luhet në “Camp Nou” El Clasico, dhe në një sfidë të tillë kaq të rëndësishme gjëja më kryesore për tifozët e Barcës dhe trajnerin Luis Enrique është që Mesi vjen në një formë fantastike dhe mbi të gjitha i motivuar për duelin ndaj Realit.
I intervistuar nga mediat në përfundim të sfidës mes Argjentinës dhe Bolivisë, 28-vjeçari la të kuptohej se vëmendja e tij tashmë e gjitha te El Clasico, takim në të cilin synon të realizojë edhe golin e tij të 500 në karrierë. Deri tani Mesi ka shënuar 449 gola me fanellën e Barcelonës dhe 50 me atë të Argjentinës. “Do të ishte diçka me të vërtetë shumë e bukur për mua ta arrija këtë shifër në një sfidë ndaj Realit sidomos nëse goli im do t’i jepte avantazhin skuadrës”, u shpreh 5-herë fituesi i Topit të Artë.