Barcelona ka një muaj që bën llogari dhe mesa duket do t’i ofrojë Lionel Messit kontratën që ai ëndërronte, me parametra financiarë si askush tjetër në botë dhe me klauzola nga më të ndryshmet, të cilat e vendosin yllin argjentinas në një nivel mbi të tjerët. Me pak fjalë, Barcelona i “premton Kinën”, por në Europë.
Sipas “Ok Diario”, fillimisht Messit i ishin ofruar 30 milionë euro në vit me 5 milionë euro në formë bonusesh, por klubi në fund e kuptoi që kjo ofertë duhej rritur dhe tashmë ka arritur shifrën 40 milionë euro neto në vit. Kuptohet që kjo shumë thuajse dyfishohet duke llogaritur taksat që duhet të paguajnë katalanasit.
Por përfitimet e Messit nuk mbyllen me kaq. Klubi është gati të dëmshpërblejë lojtarin në rast të gjobave nga autoritetet financiare spanjolle në të ardhmen, duke parashikuar se mund të ketë të tilla. Njëkohësisht, nuk do të mbetet pa u shpërblyer edhe babai i tij. Në momentin e firmës, ai do të përfitojë një shifër prej 50 milionë eurosh, si “kuotë besnikërie”.
Në këtë mënyrë, do të kalohet edhe në këtë aspekt braziliani Nejmar, babai i të cilit kishte përfituar një shifër të përafërt pasi lojtari firmosi me klubin katalanas, një detaj i cili u zbulua më vonë dhe nga filluan të buronin pakënaqësitë e Messit me drejtuesit e Barcelonës.
Sipas asaj që raportojnë mediat që qëndrojnë pranë Barcelonës, shumë shpejt 29-vjeçari do të hedhën të zezën mbi të bardhë, duke firmosur kështu kontratën e re që do ta lidhë me Barçën edhe për 5 vitet e ardhshme.
5 herë fituesi i Topit të Artë do të firmosë deri në vitin 2022 dhe nga marrëveshja do të përfitojë një pagë më të lartë se ajo aktualja. Në këtë mënyrë pakësohen shanset e Manchester City-t dhe klubeve të tjera që kërkonin të kishin shërbimet e Messit që prej verës së ardhshme. Edhe pse kontrata aktuale i skadon më 2018-tën, gjasat janë që Leo të qëndrojë në “Camp Nou” deri në moshën 35-vjeçare për t’u larguar më pas drejt vendlindjes së tij, pikërisht te skuadra e Newells Old Boys, ekip tek i cili parashikohet të mbyllë karrierën. Bartomeu pak ditë më parë ka theksuar se Messi duhet të jetë futbollisti më i paguar në botë sepse e meriton ngaqë është më i miri, por mbetet për t’u parë se sa do të jetë shuma që do të përfitojë në një sezon 29-vjeçari nga kontrata e re me Barcelonën.