Aftësitë mbresëlënëse të Sergio Agueros si golashënues i Manchester Cityt e kanë bërë atë ndër më të mirët në botë, mirëpo trajneri i tij, Pep Guardiola, beson se Lionel Messi ende mbetet më i mirë në secilën pozitë.
Sergio Aguero shënoi het-trik në fitoren me rezultat 6:1 të Manchester Cityt kundër Aston Villës të dielën, duke e kaluar Thierry Henryn si golashënuesin më të mirë të huaj në histori të Premierligës.
31-vjeçari e arriti këtë rekord në tre ndeshje më pak të zhvilluara sesa legjenda franceze e Arsenalit, të cilit i ishin duhur 258 ndeshje për ta arritur rekordin.
Aguero gjithashtu e barazoi rekordin e ikonës së Chelseat, Frank Lampardit, në listën e futbollistëve me më së shumti gola në përgjithësi në Premierligë. Tani ai radhitet në këtë listë pas vetëm dyshes legjendare të Manchester Unitedit Andy Cole dhe Wayne Rooneyt, si dhe legjendës së Newcastle: Alan Shearer.
Kur u pyet pas kësaj ndeshjeje nëse Aguero ishte lojtari më i mirë me të cilin ai ka punuar në karrierën e tij si trajner, Guardiola preferoi ta përmend gjashtë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messin e Barcelonës.
“Më i miri është Messi. Messi është nëntëshi, dhjetëshi,, njëmbëdhjetëshi, shtatëshi, gjashtëshi, pesëshi e katërshi më i mirë….”, tha Guardiola, duke buzëqeshur.
“Por Sergio, në mes të disa të tjerëve, është njëri ndër ta. Kam thënë shumë herë se ai do të vdesë duke shënuar gola, është me të vërtetë i talentuar”.
Trajneri spanjoll kishte punuar me Messin gjatë viteve 2008 dhe 2012, në një periudhë kur Barcelona ishte në kulmin e fuqisë, duke i fituar katër tituj të La Ligës, dy Liga të Kampionëve, dy Kupa të Mbretit, dy Superkupa të UEFA-s, dy Kupa të Botës për Klube dhe tre Superkupa të Spanjës.