Messi flet pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Interit

Lionel Messi e ka pranuar se përgatitjet e dobëta parasezonale të Barcelonës kanë pasur një ndikim negativ te skuadra katalonase në fillim të sezonit të ri.

Skuadra e Ernesto Valverdes udhëtoi në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara për t’i kryer përgatitjet parasezonale, por është kritikuar ashpër nga shumë se fluturimet e gjata kanë ndikuar në nisjen e ngathtë të sezonit të ri 2019/20.

Messi, i cili vetë u përball me dy lëndime muskulore: në kofshe dhe në pulpë, ishte titullar për herë të parë këtë sezon në Ligën e Kampionëve dhe natyrisht la gjurmë duke asistuar në fitoren e Barçës 2:1 kundër Interit në Camp Nou.

“Na u desh të fitonim sepse është grup i vështirë”, tha Messi pas ndeshjes.

“Në ndeshjen e parë barazuam dhe fitorja në shtëpi ishte e rëndësishme për të shkuar përpara. Interi është i fortë sepse ka ekip madhështor”, shtoi ai.

“Ka qenë e vështirë në pjesën e parë në veçantë, por në të dytën ne bëmë presion më mirë, ishim më të organizuar dhe ia dolëm të krijonin shanse”, theksoi ai.

Messi foli edhe për përgatitjet parasezonale, që sipas tij kanë ndikuar negativisht në paraqitjet e Barçës deri tani.

“Kur udhëton nuk stërvit mirë. Ne u kthyem dhe shkuam përsëri (në përgatitje). Kështu nuk stërvit mirë. Ne nuk e kishim një bazë stërvitore. Megjithatë, tani po përmirësohemi”, shtoi ai.

Artikulli paraprakÇfarë tregon shpejtësia e ecjes për shëndetin tuaj
Artikulli tjetërConte: Interi e meritoi fitoren më shumë se Barcelona