Lionel Messi lihet në stolin e rezervave. Revista franceze “France Football”, e cila jep edhe verdiktin e fituesit të “Topit të Artë” ka lënë jashtë 11 të titullarve si formacioni ideal i Champions League, sulmuesin e Barcelonës. Messi autor i 11 golave në këtë kompeticion, i pozicionuar në vend të dytë pas Cristiano Ronaldos, i cili regjistron 12 finalizime, e sheh veten në stolin e rezervave dhe nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shohë si pjesë të formacionit bashkëkombasin e tij Dybala, shokun e skuadrës Neymar dhe rivalin e tij Ronaldo.
Ajo që bie në sy në këtë rreshtim është dominimi i futbollistëve të skuadrave finaliste të Champions League, Reali i Madridit dhe Juventusi. Bardhezinjtë përfaqësohen me Gianluiggi Buffon, Dani Alves, Leonardo Bonucci dhe Paolo Dybala. Katër është numri i përfaqësuesve dhe për klubin “Los Blancos” me Sergio Ramos dhe Marcelo në mbrojtje, për repartin e mesfushës Luca Modriç dhe normalisht sulmi me Cristiano Ronaldo, heroi i mbrëmjes së Cardiffit. 11 kompletohet me Fabinho dhe Lemar të Monacos dhe Neymar i vetmi nga radhët e Barcelonës. Do të shoqërojnë Lionel Messin në stolin e rezervave dhe Ter Stegen, Khedira, Chiellini, Mandzukiç, Mbappe dhe Bezema. Ai që e drejton këtë skuadër ëndrrash është tekniku i Realit të Madridit Zinedine Zidane, autor i triumfit të dyfishtë në Champions League.