Lionel Messi, që zakonisht është i qetë, u përfshi në një përleshje me vetë tifozët e Barcelonës në aeroport, gjatë kohës sa ai po kthehej nga Liverpooli në Barcelonën, mbrëmë.
Ylli argjentinas nuk kishte qenë në gjendje ta ndalë skuadrën e Jurgen Kloppit, që e përmbysi rezultatin nga disfata 3:0 në ndeshjen e parë në fitore 4:0 në ndeshjen kthyese. Me këtë fitore në gjysmëfinale, Liverpooli e siguroi një vend në finale të Ligës së Kampionëve.
Pas ndeshjes, Mundo Deportivo raporton se Messi, i cili vlerësohet nga shumë tifozë si futbollisti më i mirë në botë, u kap me disa tifozë të zemëruar, të cilët iu kundërvunë atij në aeroportin “John Lennon Airport”.
Argjentinasi u largua nga stadiumi “Anfield” me lot në sy dhe ishte e qartë që ai ishte i zemëruar me rezultatin tronditës të ndeshjes.
Ai nuk shkoi në aeroport me bashkëlojtarët e tij, sepse u ndal për teste kundër dopingut dhe u detyrua të bëjë plane të tjera për t’u kthyer në Spanjë. Lojtari që zgjidhet për testet kundër dopingut bëhen në mënyrë rastësore.
Pas kësaj, Messi u shoqërua në aeroport nga rojet personale të sigurimit dhe trajneri Pepe Costa. Brenda në aeroport, një grup i vogël i tifozëve thuhet se iu kundërvunë Messit dhe sigurimi u detyrua ta largojë argjentinasin nga aty që të mos eskalojë situata.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes dy skuadrave, Messi kishte shkëlqyer me dy golat e tij, njëra prej të cilave kishte qenë nga gjuajtja e lirë. Por, në ndeshjen kthyese, ai nuk arriti të bëjë asgjë për ta ndalur Liverpoolin, që fitoi me rezultat 4:0, falë golave të Divock Origit dhe Georginio Wijnaldumit.