Barcelona tashmë ka rënë dakord për një kontratë të re me Lionel Messin deri në vitin 2021 dhe ka filluar punën për ta lidhur atë me një marrëveshje të jetës, sipas njoftimeve që vijnë nga Spanja. Marrëveshja e Messit më parë skadonte në fund të sezonit, dmth ai do të ishte i lirë të bisedonte me klubet e tjera europiane në janar. Por, presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, njoftoi më parë këtë javë se Messi kishte nënshkruar një marrëveshje të re katërvjeçare, duke përfunduar spekulimet mujore rreth të ardhmes së tij. “Mundo Deportivo” raporton se vazhdimi i kontratës me Messin është nënshkruar në qershor dhe se Barcelona ka filluar përgatitjet për një marrëveshje që do ta shohë atë të mbetet në “Camp Nou” përjetë.
Messi mbeti besnik ndaj Barcelonës dhe refuzoi të argëtohet me oferta nga klube të ndryshme, sipas kësaj gazete spanjolle. Raporti i “Mundo Deportivo” bën me dije se Barcelona dëshiron që pesë herë fituesi i “Topit të Artë” të qëndrojë në klub për pjesën tjetër të jetës së tij, edhe pas mbarimit të ditëve si lojtar. Klubi katalanas është goditur nga largimi i Neymar në verë dhe dëshiron ta lidhë Messin me një marrëveshje të ngjashme me atë që Andres Iniesta ra dakord muajin e kaluar, që do ta shohë atë të qëndrojë te Barcelonë për pjesën tjetër të karrierës së tij. Ekzekutivi i Barcelonës, Oscar Grau, njoftoi në asamblenë e përgjithshme të klubit muajin e kaluar se po punohej për një kontratë të re të jetës për superstarin e tyre. Grau i tha kuvendit: “Messi nënshkroi një marrëveshje katërvjeçare në qershor, por klubi do t’i ofrojë atij një kontratë jetëgjatë.
Ideja është që Leo, i cili ka qenë këtu që kur ishte i vogël, të qëndrojë këtu përjetë, sepse është një ikonë. Pas ditëve të tij të lojës ne duam që ai të vazhdojë të jetë i lidhur me klubin tonë”. Dhe javën e kaluar Tebas konfirmoi, gjithashtu, marrëveshjen e Messit deri në vitin 2021, teksa nënvizoi: “Messi ka një kontratë, që është rinovuar. Kontratat janë zyrtare kur nënshkruhen dhe jo kur shpallen. Messi ka nënshkruar me Barcelonën, nëse nuk më kanë gënjyer”. Pasiguria rreth marrëveshjes së tij të mëparshme kishte ngrehur vëmendjen e Manchester City dhe PSG. Messi e ka filluar sezonin aktual në formë të zjarrtë, me 12 gola të realizuar në 11 ndeshje të La Liga-s, ndërkohë që Barcelona e kryeson tabelën, me katër pikë larg Valencias së vendit të dytë dhe tetë pikë përpara Real Madridit.