Cristiano Ronaldo është kthyer dhe Messi nuk ka ikur. Kjo mund të jetë përmbledhja e asaj që kemi në La Liga. Kanë mbetur për t’u luajtur edhe nëntë ndeshje në kampionatin spanjoll, ndërsa portugezi dhe argjentinasi po e udhëheqin tabelën e trofeve individualë këtë dekadë. Që nga viti 2010, mes të dyve janë shpërndarë të gjithë trofetë “Pichichi”, me përjashtim të njërit: katër ishin për Messi-n (2010, 2012, 2013 dhe 2017) dhe tre për Cristiano Ronaldon (2011, 2014 dhe 2015). Vetëm Luis Suarez, i treti këtë vit, ka mundur të “krijojë çarje” te dy futbollistët më të mirë të botës. Me titullin e La Liga-s në favor të Messit dhe Barcelonës, Cristiano Ronaldo mund të përpiqet tashmë vetëm të luftojë për të marrë një “Pichichi”, çka 10 ditë më parë dukej e vendosur. CR7 ka shtuar 18 gola në fazën e dytë, më shumë se dyfishi i golave të Messit (8 gola) në atë periudhë. “Pokeri” i tij kundër Girona e ka vënë portugezin plotësisht në garën për “Këpucën e Artë” të Europës, ku përveç Messit, janë në lojë edhe sulmuesit Salah, Kane (i lënduar), Cavani, Immobile, Jonas, Lewandowski dhe Icardi. Ronaldo ka në “palmaresin” e tij katër “Këpucë të Arta” (tri me Real Madridin dhe një me Manchester United). Të njëjtën gjë ka arritur edhe Leo me Barçën. Që nga viti 2010, Suarez është, gjithashtu, i vetmi që ka ndërhyrë në mes të dyve: ai e fitoi këtë trofe në vitin 2016 dhe ndau çmimin me portugezin në vitin 2014, me 31 gola. Mbetet për t’u parë se sa shumë ndeshje të La Liga-s do të luajnë si Messi dhe CR7. Barcelona e ka titullin në rrugën e duhur dhe nuk ka nevojë të rrezikojë yllin e vet, që pret të udhëheqë Argjentinën në Botërorin e Rusisë. As Real Madridi, i cili ka të vetmin shpëtim të sezonit fitimin e Ligës së Kampionëve, që shpesh i jep pushime Ronaldos. Megjithatë, përsëri, ambicia e të dyve do të jetë faktori vendimtar.