Nga Mirela Karabina
Të dhëna të INSTAT tregojnë se degët universitare që lidhen me prodhimin e mësuesve janë në krizë. Në vitin 2022 u shpërndanë vetëm 341 diploma në degët e arsimit nga 1613 të tilla që u dhanë në vitin 2015, pra me rënie 79%.
Mungesa sot e mësuesve të matematikës në disa qytete të vendit përfshirë dhe Tiranën, rreziku i mbylljes së kësaj dege dhe në Fakultetin e Shkencave të Tiranës, mbetja bosh e kuotave të degëve mësuesisë në nivelin 70-80% për vitin 2023-2024 në degët, Matematikë, Fizikë, Gjuhë -Letësri, Biologji, Filozofi është një klithmë alarmi se jemi para kolapsit të sistemit të mësuesisë.
Kjo rënie drastike e numrit të të diplomuarve në mësuesi është përgjegjësi direkte e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, pasi prej 11 vitesh në pushtet me politika jo transparente pse jo dhe klienteliste, ka çuar në mbylljen e shumë programeve të mësuesisë.
Politikë kjo që ka shkaktuar krizën më të thellë të 34 viteteve, mungesë të theksuar në treg të mësuesve, numri i diplomave të të cilëve sot nuk mjafton për të zëvendësuar vendet vakante në shkollat publike në të gjithë vendin.
Pasi politikat zhvillimore dhe mbështetëse për mësuesin dhe shkollën janë zëvëndësuar me propagandë të pamasë të qeverisë, duke i përdorur politikisht ata.
Kështu, Rama dhe qeveria e tij mashtrojnë dhe gënjejnë çdo ditë mësuesit vetë, nxënësit, prindërit dhe familjet shqiptare përmes: vendimeve propagandistike për degë prioritare si mësuesia dhe pa rezultat pasi as numri i mësuesve dhe cilësia e tyre nuk u rritet; portalit të rrejshëm e diskriminues të punësimit “Mësues për Shqipërinë” ku mësuesit i duhet të jetë partiak që të plotësojë kriteret; trajnimeve fiktive digjitale të mësuesve pse jo dhe korruptive ndërkohë që në shkolla nuk ka as kompjutera dhe rrjet interneti; premtimit për rritje page për mësuesin dhe prej 11 vitesh nuk arrin kufijtë e nje rroge mesatare për të jetuar me dinjitet e të tjera e të tjera mashtrime, ku secili nga aktorët i prek dhe i vuan çdo ditë.
Universitetet Rajonale i Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës të profilizuar në mësuesi dhe me traditë dhjetëra veçare dhe që kanë prodhuar mësues për gjithë trevat shqiptare, sot po shkojnë drejt mbylljes për shkak të mungesës totale të politikave mbështetëse dhe motivuese në këto degë, dhe nga qendra shkencore këto universitete po kthehen në qendra kursesh profesionale për mbijetesë.
Mungesa e mësuesve dhe cilësia e dobët e tyre janë një shuplakë dhe demaskim i propagandës së qeverisë 11 vjeçare të Edi Ramës, me kosto të lartë për shoqërinë shqiptare.
Rezultatet e ulta në cilësi të vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve në PISA, ku një nga faktorët janë cilësia e mësuesit pasi prej tri dekadash në këto degë shkojnë studentë të dobët; rezultate të ulta në Maturë Shtetërore sidomos në matematikë; nivel i ulët i njohurive të mësuesve në rang vendi rreth 47 % e tyre janë me njohuri të pamjaftueshme (ASCAP, 2021) dhe tregues të tjerë, dëshmojnë gjendjen e rëndë që ka kapluar sistemin, shkakun dhe nevojën e ndërhyrjes së menjëhershme.
Partia Demokratike e Shqipërisë duke analizuar këtë situatë në të cilën ndodhet mësuesia dhe i gjithë sistemi arsimor ka një program të qartë dhe ambicioz për të dalë nga kjo gjendje.
Përmes investimit në formimin universitar të mësuesve dhe zhvillimit profesional të tyre, infrastrukturës shkollore dhe pedagogjike që të përmbushë objektivat arsimorë, vlerësimit financiar të punës së mësuesve për një jetë të mirë dhe me dinjitet, Partia Demokratike do ta fusë në shina dhe do të mundësojë jo vetëm daljen nga kriza të mësuesisë dhe arsimit, por dhe kthimin në normalitet dhe hapje rrugë të zhvillimit të sistemit arsimor në tërësi.