Teza e provimit të Gjuhë Letërisë për Maturën Shtetërore u është dhënë nxënësve para provimit në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Nxënësit e shkollës së mesme në Fushë-Krujë kanë denoncuar skandalin e radhës të ndodhur në Maturën Shtetërore, pasi para provimit disa mësues kanë nxjerrë tezën e Gjuhë-Letërsisë, duke ua ofruar nxënësve në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Skandali është denoncuar nga disa nxënës të shkollës së Mesme të Fushë-Krujës. Nxënësit i kanë dërguar fotot e tezës portalit “Jeta Osh Qef”, ndërsa shkruajnë se, tezën e provimit e kanë nxjerrë profesorët e Partisë Socialiste në këmbim të votave. “Tezat e maturës në Fushë-Krujë nxjerrë nga profesorët e Partisë Socialiste në këmbim të votave… Ju lutem postojeni shpejt pa mbaruar provimi… Anonim ju lutem”, shkruan qytetari.
Rreth 40 mijë maturantë nga e gjithë Shqipëria kanë dhënë dje provimin e Gjuhë-Letërsisë. Ky është provimi i dytë që maturantët kanë dhënë deri tani, pas atij të Anglishtes javën e shkuar. Ndërkohë që vetë maturantët këtë provim e kanë cilësuar jo të vështirë. Megjithatë i mbetet rezultateve ta përcaktojnë këtë, pasi deklaratat e maturantëve bëhen në kuadrin e përgatitjes së tyre, duke reflektuar nivelin e studimeve gjatë viteve të gjimnazit.