Mësuesit e shkollave të Tiranës dhe të rretheve do të protestojnë sot para Ministrisë së Arsimit. Pas kërkesës së sindikalistëve për takim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, për të diskutuar për problemet që kanë arsimtarët, takim i cili nuk u realizua, ata kanë përcaktuar se ditën e premte më 16 dhjetor në orën 14:00 do të zhvillojnë protestën e parë.
Në kërkesat e saj, Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë kërkon respektimin e normës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të arsimtarëve si dhe shpërblimin e fundvitit prej 10 mijë lekë. Kryetarja e Sindikatës së Tiranës, Alma Lama, fton mësuesit t’i bashkohen protestës për më shumë dinjitet dhe t’i thonë jo paligjshmërisë. Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevruz Kaptelli tha se, në protestë do të marrin pjesë edhe mësuesit e shkollave të rretheve.
Sindikata e Pavarur e Arsimit rendit një sërë kërkesash: shpërblimi i fundvitit, respektimi i normave të punës, pagesa e orëve mbi normë, qëndrueshmëria e reformave, transparenca në emërime, vendime, kurrikula e të tjera.
Me disa prej tyre, Ministria e Arsimit është njohur nëpërmjet një letre të nisur që më 22 nëntor, ku Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë konstaton se, partneriteti me MAS nuk po funksionon siç është parashikuar në kontratën kolektive të punës. Nisur nga kjo, parashtrohen disa shqetësime që kërkojnë zgjidhje:
1. Formatizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar dhe të këshillave vendorë të arsimit parauniversitar.
2. Pagesa e transportit të mësuesve, duke e llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku banojnë.
3. Pagesa e orëve mbi normë, të provimeve të fundvitit, të Maturës Shtetërore e të tjera.
4. Shpërblimi prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit si detyrim ligjor që rrjedh nga
Kodi i Punës, neni 114, pika 2 dhe neni 10.11 i kontratës kolektive të punës.
Protestat e vazhdueshme e madje edhe bojkoti i mësimit janë dy mjetet që sindikata ka përdorur që zëri i mësuesve të dëgjohet. Shpesh, ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë shkresash ministrisë apo edhe i kanë shprehur në komisione parlamentare. Të parët që u prinë protestave në rang vendi ishin mësuesit e Shkodrës, të cilët protestuan një ditë më parë përpara shkollave. Ata pretendojnë se, shpërblimi i fundvitit është paracaktuar në buxhet dhe nuk është dhënë që prej më shumë se tri vitesh. Përpara pak ditësh, Ministria e Arsimit u ka nisur të gjithë mësuesve një letër për fundvitin, në të cilën i uron e i motivon ata për punën e tyre.
Mësuesit në Shkodër protestuan një ditë më parë, para Drejtorisë Arsimore për mosmarrjen e shpërblimit të fundvitit. Mësuesit të përfaqësuar nga Sindikata e Arsimit, kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Siç kishte paralajmëruar Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shkodër, protestoi para Drejtorisë Arsimore, duke kërkuar shpërblimin e fundvitit, i cili prej 3 vitesh u është mohuar arsimtarëve. Duke i kujtuar Ministrisë së Arsimit se, përfitimi i shpërblimit është i sanksionuar në kontratën kolektive, drejtuesit e sindikatës paralajmëruan grevë 1 orëshe në të gjitha shkollat. Ata kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë të mësuesve. Sindikata e Pavarur e Arsimit ka paralajmëruar përshkallëzim protestash.
Ditën e djeshme u hodhën në protestë mësuesit e shkollave të Librazhdit dhe të Prrenjasit pasi nuk kanë marrë ende rrogën e muajit nëntor. Mësueit janë grumbulluar para zyrës së Arsimit në Librazhd dhe kanë kërkuar paratë e tyre. Në të dyja bashkitë Librazhd dhe Prrenjas japin mësim rreth 890 mësues, por deri ditën e djeshme atyre nuk u janë kaluar pagat. Janë 12 gjimnaze dhe 60 shkolla 9-vjeçare që japin mësim këta mësues, por këto ditë ndodhen në vështirësi ekonomike për shkak të mos marrjes së rrogave. Shumica e mësuesve udhëtojnë në zona shumë të thella malore, por e kanë të pa munduar për të udhëtuar, pasi nuk kanë para për të paguar shoferët e linjës që i transportojnë në vendet e tyre të punës.