Meta dekoron heronjtë e kampit të shfarosjes në Tepelenë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.
Kreu i Shtetit vlerësoi, duke dekoruar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatave dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore. Presidenti tha se drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore dhe nxiti drejt kërkimit të së vërtetës, duke përmendur procedurat e lustracionit, për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e viktimave të komunizmit.
“Jemi sot në një ditë shumë të rëndësishme kujtese, por mbi të gjitha reflektimi.
Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare sjell ndërmend miliona njerëz që u bënë viktima të këtyre sistemeve, dhe kryesisht të burgosurit e kampeve të përqendrimit, kampeve të vdekjes, gulagëve, kampeve të punës, e burgjeve.
Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor”, tha Meta.

Ai u shpreh se kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.
“Ky kujtim gjithashtu mbështet dhe ushqen angazhimin tonë për të zhvilluar demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar shfaqjet e sotme të intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.
Vlerat e demokracisë qëndrojnë në principet themelore të saj si barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, dhe kjo e fundit është thelbësore për viktimat e sistemit totalitar”, theksoi Presidenti.
Ai deklaroi më tej se keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje.
“Pajtimi me të kaluarën mund të arrihet vetëm duke ndarë dhe duke promovuar të gjithë së bashku, kujtimet e heronjve që sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të besnikërisë ndaj idealeve të tyre, të drejtësisë, të lirisë dhe të së vërtetës!
Sepse disa nga këta heronj, po perifrazoj titullin e librit të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, jetuan dhe jetojnë për të treguar tmerret e terrorit komunist dhe totalitarizmit. Tregojnë që ne të mos harrojmë! Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.
Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Artikulli paraprakThe Economist: Shqiptarët, të parët në botë për përdorimin e kokainës
Artikulli tjetërPërgjaken sërish rrugët, humb jetën një turiste italiane në Sarandë, burri në gjendje të rëndë