Presidenti e ka bërë të qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Ai ka folur për gjedhje lokale dhe parlamentare.Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për mediat që në orën 8:00 për të shpjeguar arsyet se pse vendosi të anulojë zgjedhjet.
Me të nisur fjalën ai tha se zgjedhjet do te mbahen të bashkuara dhe jo me përçarje, ndërsa lexoi nenin i cili thotë se presidenti është ai që vendos datën e zgjedhjeve duke iu përgjigjur kryeministrit, Edi Rama i cili tha dje se zgjedhjet do të bëhen.
Sipas Metës data e zgjedhjeve ishte vendosur në kushte të qeta dhe tha se pa datë të vendosur nga presidenti nuk ka zgjedhje.
“Jam sot për të shpjeguar para jush dhe gjithë qytetarëve arsyet për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.
Në zbatim të neniT 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve.
Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen”, deklaroi Meta.
Ndërsa si kryeministri, Edi Rama ashtu edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e quajtën aktin e presidentit, nul dhe antikushtetues. Njëri nga Burreli e tjetri nga Baldushku, gati njëzëri, ata thanë dje se zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor.