Përmes një reagimi të shkurtër, Presidenti i ka bërë të qartë Ramës se nuk ka ndër mend të ndryshojë qëndrim në lidhje me mos dekretimin si ministër të Sandër Lleshit. Meta i është përgjigjur shkurt Ramës, duke i kujtuar përcaktimet kushtetuese në lidhje me pozicionin e tij. REagimi i Metës ka ardhur pas disa ditësh ku Rama ka marrë edhe detyrën e konstitucionalistit dhe në të njëjtën ditë kur Rama i ka dërguar sërish një shkresë të re Presidencës për dekretimin e Lleshit, ministër.
Duke folur për mediat, presidenti sygjeroi që të gjithë kritikët e zgjedhjes së tij për të mos dekretuar Sandër Lleshin duhet të lexojnë Kushtetutën dhe të njohin kompetencat e Presidentit.
“Sa i takon anës ligjore, pa dashur të jap leksione për kushtetutën të gjithë amatorëve do ti ftoja të lexojë edhe një herë kushtetutën për kompetencat e presidentit.
Për ata që mendojnë se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë për këtë rast, kam një pyetje, a mund parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit dhe kjo nuk është e shprehur në kushtetutë.
Më lini të bëj detyrën time si gjithmonë.” – u shpreh Meta.
Më 9 nëntor 2018, Rama tha në Kuvend:
“Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit, për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit.
Është pak, por e sigurt që, nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë, qoftë dhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12 kompetencave të shkruara qartësisht, nuk ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës nuk do e kishte lënë pa e zbuluar, edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artiljer i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me gjithë furinë e grykës së gojës, ministrin e propozuar prej meje, Presidenti i gjashtë i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër, me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Sepse Kushtetuta, ua ka thënë copë, në një nen të veçantë, të tërë presidentëve që janë betuar për të, se nuk mund të ushtrojnë asnjë kompetencë tjetër, përveç atyre që u njihen shprehimisht prej saj dhe u jepen me ligje të tjera, të nxjerra në pajtim me të. E pikërisht pse Kushtetuta nuk i njeh Presidentit të Republikës, as shprehimisht, as me nënkuptim, e lëre pastaj t’i ketë dhënë me ndonjë ligj të nxjerrë në pajtim me të, kompetencën për të refuzuar propozimet e Kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar, Presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi, pa asnjë referencë kushtetuese apo ligjore…
…Keqkuptimi i madh i Presidentit të Republikës është në faktin se unë nuk i kam propozuar atij një kandidat për ministër. Jo, unë Presidentit të Republikës i kam çuar dekretin për një ministër, jo për një kandidat. Ministër, të cilin, sipas Kushtetutës sonë, Presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë, por ka detyrën ta miratojë.
Presidenti i Republikës sonë parlamentare, përveç 12 kompetencave që Kushtetuta ia njeh shprehimisht dhe ligjet e nxjerra në pajtim me të, ia përkufizojnë qartësisht, ka edhe detyra siç kanë të gjithë subjektet e Kushtetutës. Ndër këto detyra është edhe detyra për të dekretuar qeverinë, si dhe çdo anëtar të saj, sipas kërkesës së Kryeministrit, madje brenda 7 ditësh me një dispozitë taksative. Nuk lë asnjë vend për interpretim.