Presidenti Meta i është kundërprgjigjur deklaratave të fundit të Ramës në lidhje me mos dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm duke i kujtuar atij se kreu i shtetit nuk mund të jetë një kukëll në duart e Ramës.
“Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, shprehet zëdhënësi i Presidentit në një reagim të shkurtër për mediat.
Meta ka shkuar edhe më tej ku i ka kujtuar Ramës se koha kur vendi drejtohej nga Sekretari i Parë i Partisë ka përfunduar një herë e përgjithmonë. Kreu i shtetit ka shprehur përmes këtij reagimi të shkurtër vendosmërinë për të mos u tërhequr përpara presioneve që Rama ka ndërmarrë ndaj tij përmes mediave të kapura.
Beteja politike mes Ramës dhe Metës sapo ka shpërthyer dhe ky është vetëm fillimi. Nëse deri tani, gjithçka zhvillohej në një sfond të padukshëm, tani ka nisur të bëhet publike.
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i pyetur nga mediat, lidhur me takimin e djeshëm ‘Rama-Meta’, thekson se:
‘Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues.
Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.
Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.
Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë’.