Meta paralajmëron Ramën: Mos guxo të prekësh votat! Ruçi provokator i ndryrë!

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp, paralajmëroi kryeministrin Edi Rama “mos ti prekë votat, ndryshe të gjejë vrimë ku të futet”. Meta u bëri apel qytetarëve të votojnë sipas bindjes së tyre më 25 Prill, ndërsa i bëri thirrje Ramës të mos guxojë të prekë votat.

Ai shtoi se, është i gatshëm të largohet nga detyra nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.

Lidhur me vendimin e Komitetit të Ekspertëve që detyron karantinimin për 14 ditë të udhëtarëve që vijnë nga Greqia, Meta apeloi të rishikohet vendimi. Sipas tij, masat shkel të drejtat e emigrantëve për të votuar.

“Të nderuar qytetarë, ndalimi i votimit të emigrantëve tanë nga Greqia në zgjedhjet e 25 prillit përbën një akt të dhunshëm, barbar, diskriminues dhe antikushtetues të ndalimit të së drejtës për të zgjedhur, që duhet ta gëzojë çdo shtetas në moshën 18 vjeç. Arsyeja e ndalesës dhe i diskriminimit të mijëra bashkatdhetarëve tanë për të marrë pjesë në votime për shkak të pandemisë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd dhe një përdorim politik për qëllime elektorale nga partia shtet.

Kjo është farsa e gjoja përpjekjeve për përfshirjen e diasporës dhe emigrantëve tanë në votime, të cilëve po iu ndalohet e drejta për të ardhur në atdhe dhe për të votuar.

Kë të besojmë ne? Komitetin politik të partisë shtet që zbaton qorrazi urdhrat e diktatorit në largim dhe që fsheh nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuar nga Covid-19, apo Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve të Amerikës, autoritet shkencor i padiskutueshëm botëror, që u shpreh se qytetarët e infektuar dhe ata të ekspozuar ndaj Covidit mund të votojnë lirshëm duke u paraqitur personalisht në qendrat e votimit.

Udhëzimi u zbatua në zgjedhjet presidenciale. Së fundi, i bëj apel qeverisë, KQZ, dhe Komitetit të ekspertëve të manipuluar që të heqë menjëherë këtë ndalesë që përbën dhunim të Kushtetutës”, u shpreh Meta.

Meta akuzoi Ramën se nxiti dhunën në Kavajë, ku mbeti i plagosur sekretari i PD-së, Bledar Okshtuni.

Meta dënoi heqjen e banderolave të LSI në një objket privat në Fier nga ana e bashkisë. Meta e quajti këtë rast një incident të turpshëm dhe banal, ndërsa theksoi se, kryetari i Bashkisë së Fierit duhet të shkojë në burg për shkeljet e rëndë që ka bërë.

“Ruçi provokator i ndryrë që përpiqet të prishë zgjedhjet të dielën. U bëni thirrje grave, burrave të Fierit, të mbrehin sfurqet, kosoret, lopatat dhe ti kenë gati për dietën e diel nëse preken votat. Kjo është çështja. Ata e bëjnë që të dalin militantët e LSI dhe të bëhet sherr, të krijohet ideja që LSI me porosi të presidentit të prishë mitingun e socialistëve”, tha Meta.

Presidenti paralajmëroi se do të ketë ligj të posaçëm pas 25 Prillit, për t’i ndaluar të punojnë në administratë, punonjësit e administratës që kapen duke kryer krime elektorale.

Artikulli paraprakBasha në Bilisht: Shqiptarët e kanë marrë vendimin për ndryshim. 25 prilli, fitorja më e thellë në histori!
Artikulli tjetërBie miti i mbrojtjes së vaksinës kineze!