Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot lidhur me Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka bërë një paralajmërim të fortë kur tha se askush nuk duhet të përdhosë këtë gjykatë.
“Duan të gjithë të kapin sistemin e drejtësisë. Parlamenti shpërndahet me një dekret, qeveria rrëzohet me një mocion mosbesimi, ndërsa Presidenti shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Meta, duke sqaruar se është shumë i qartë në deklarimet e tij.
Në vijim, presidenti theksoi se s’ka institucione më të rëndësishme sesa Kushtetuta.
Meta i ka drejtuar një thirrje Parlamentit që të respektojë Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm në këtë vend. Përpjekjet për kapjen e Gjykatës Kushtetuese janë të dështuara”, tha Presidenti.
Ai shtoi se do të jetë detyrë e popullit dhe e Presidentit që t’i tregojë vendin kësaj bande uzurpatore dhe shërbëtorëve të tyre. “Veprimet do të vazhdojnë të jenë institucionale”, tha Meta.
“Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri sesa Kushtetuta, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekja për të dhunuar Kushtetutën në përpjekje për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura”, theksoi Meta.
Deklarata e fortë e Kreut të Shtetit erdhi pas qëndrimit të mbajtur nga Rilindja në Kuvend, që e cilësoi dekretin e Presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Kushtetueses si të paligjshëm.
Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, tha se Meta po bën ç’është e mundur për të frenuar reformën në drejtësi, rasti i fundit është i Gjykatës Kushtetuese, që do të dështojë. Dua t’i bëj sot një apel presidentit, është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera të vendit.