Meta pret në takim Soros, ja çfarë u bisedua

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim, me kërkesë të tyre, Zëvendëspresidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, z.Aleksandër Soros dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së Fondacionit në Shqipëri, Andi Dobrushi.

Presidenti Meta i njohu me shqetësimet e Tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Takimi i Metës me Alex Soros vjen disa javë pasi Kreu i Shtetit artikuloi akuza të forta në drejtimin të rrjetit Soros, të cilin e akuzoi se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”.

Akuzave të Metës, Fondacioni Soros me seli në New York iu përgjigj me një reagim, ku theksohej “Fondacioni Shoqëria e Hapur është krenar për rolin që ka luajtur, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të mbështetur reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri, që është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

“Karakterizimi që Presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me Presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”, thuhej në reagimin e Fondacionit “Soros”.

Debatet në distancë mes Metës dhe Soros u zhvilluan në qershor-korrik, ndërsa takimi mes Presidentit dhe Alex Soros, u mbajt në Dhjetor.

Artikulli paraprakU prit me protesta në Tiranë, Vuçiç: Kjo nuk e ndryshon marrëdhënien time me Ramën
Artikulli tjetërÇmenduria, qeveria do t’i garantojë 138 milionë euro nga taksat tuaja konçesionit të aeroportit të Vlorës