Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar ashpër kryeministrin Edi Rama se do të përballet me drejtësinë lidhur me instalimin në vend të ligjit të oligarkisë.
Ndërsa depozitoi në Kushtetuese kërkesën për shpalljen anti-kushtetues të ligjit për Teatrin, Presidenti Meta tha se ky ligj i qeverisë është në dhunim të rendit kushtetuese, të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht në kundërshtim të plotë edhe me interesat kombëtare.
Meta u shpreh se ligji për shkatërrimin e Teatrit, është një simbol, një kryevepër, ku si asnjëherë më parë kryhet një krim kushtetues, kombëtar, kulturor dhe e gjitha kjo vetëm në interes të asaj që mund ta quajmë forca e oligarkisë.
“Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka akti im sot, i cili është në sinkron me qëndrimet e mia sistematike në raport me Kuvendin dhe me qeverinë, për këtë process kriminal, në kapje flagrante të ligjit.
Në dhunim të akteve dhe të marrëveshjeve ndërkombëtarë, Teatri Kombëtar është një kryevepër, dhe mbi të po kryhet një krim kombëtar dhe kulturor, e gjitha kjo për atë “rule oligarks”.
Dua t’i siguroj të gjithë se kam ardhur sot këtu, se Shqipëria do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe sundimit të popullit, boll më me sundimin e oligarkëve. Dua ti siguroj të gjithë se drejtësia shqiptare do të veprojë, edhe ndaj atyre ndërkombëtarëve që e kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese.
Nuk jemi rastësisht pa Gjykatë Kushtetuese, dhe për këtë nuk e ka fajin Reforma, ajo që u votua me 140 vota, nuk e linte vendin pa gjykatë, është ajo që unë e kam quajtur Ramaforma”, u shpreh Meta.
“Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si president, të coj para ligjit rilindasit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë, që kanë deformuar Reformën në Drejtësi, në interes të oligarkëve”, tha Meta më tej duke dhënë dhe një përgjigje për kryeministrin Edi Rama.
Në një postim në Facebook pak më parë, Presidenti e quajti të turpshme rrethimin me polici të Teatrit dhe përplasjet fizike të policisë me komunitetin e artistëve.
“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90!
Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”