Meta thirrje qytetarëve: Edi Rama ka futur në dorë të gjitha institucionet. Është koha t’i themi ndal!

Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë në mbrëmjen e sotme, duke thithur interesin e mediave dhe të opinionit publik. Këtë herë, Meta nuk foli vetëm për krizën kushtetuese në vend. Gjatë fjalimit të tij, Meta la të kuptohet se Shqipëria është në një krizë të gjithanshme. Kreu i shtetit tha se ekzekutivi po kap të gjitha pushtetet e tjera.

Sipas tij, Edi Rama ka futur në dorë të gjitha institucionet, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga Komisioni i Venecias. Por Meta foli edhe për krizë ekonomike në vend. Ai tha se, Shqipëria po shpopullohet dhe nuk ka asnjë investim të rëndësishëm të huaj. “Është koha t’i themi ndal”, tha Meta.

Ai e lëshoi edhe një mesazh për Kuvendin, kur tha se nuk është arritur numri kushtetues prej 140 deputetësh, çka nënkupton se parlamenti nuk është legjitim.

“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është betuar që diktatura nuk do të përsëritet kurrë më. Do të qëndroj kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës. Nuk drejtohet Shqipëria me rezolutë, por me Kushtetutë. Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës. Përmes referendumit të mbrojmë Republikën. Të vendosë populli nëse pranon të kthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë. Referendumi është demokracia direkte dhe demokracia në veprim”, u shpreh Meta.

“Pushteti ekzekutiv është unifikuar me atë legjislativ, numri kushtetues prej 140 deputetësh ka 10 muaj që nuk plotësohet, janë kapur të gjitha bashkitë e vendit me proces antiligjor, vendi është lënë për dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, janë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë interesin publik, fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura, Shqipëria po shpopullohet pa ndalim dhe nuk ka asnjë investim serioz nga SHBA, Gjermani, Itali apo Britani”, nënvizoi Meta.

Në fund, kreu i shtetit e mbylli duke bërë simbolin e shqiponjës.

Deklarata e Presidentit Meta

Jetëgjatësia e Kushtetutës është treguesi më i drejtpërdrejtë i fuqisë së saj për të qëndruar e pacënuar dhe e paprekshme, si një tempull i shenjtë, që i shërben shtetit të së drejtës.

Sa më serioz sistemi demokratik i një vend, aq më i panevojshëm është ndryshimi i Kushtetutës. Kushtetuta thuajse gjithmonë kanë lindur në kohë krizash. për këtë arsye, është Kushtetuta ajo që vendos kufirin e përqendrimit të pushtetit të çdokujt, që lakmon të jetë i gjithpushtetshëm.

Kushtetuta mbetet vijë e kuqe e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron nga populli. 22 nëntori është datë historike. Për herë të parë populli shqiptar miratoi Kushtetutën post-komuniste. Na u dhurua Kushtetuta më demokratike që ka pas Shqipëria deri më sot. Populli vendosi që sovraniteti i përket vetëm atij.

Populli shqiptar përcaktoi se liritë themelore të njeriut duhet të ishin të pandara, të patjetërsueshme. E projektuar për të hedhur themelet e një shteti, Kushtetuta e ’98 mundësoi vendosjen e paqes në vend. Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin e qytetarëve shqiptarë fatkeqësisht u zhbë brenda natës, në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshje, deputetët nuk përfaqësojnë më popullin. Ndryshimet e vitit 2016 kanë nxjerrë në pah probleme të tjera.

Kushtetuta u kthye në rregullore me data e afate, që janë shkelur nga të gjithë. Kjo po con në paralizimin dhe destabilizimin e drejtësisë në vend. Organet e reja të gjyqësorit do duhet të kenë një trup me integritet. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm.

meta

 

Exit mobile version