“Metamorfoza” e Edi Ramës është Luftar Hysa

Kur televizioni MCN publikoi fotot e Luftar Hysës duke dalë nga zyra e Edi Ramës të dy reaguan menjëherë publikisht. Zoti Hysa shkoi në emisionin Opinion të Blendi Fevziut duke deklaruar se qëllimi i vizitës së tij në kryeministri ishte artistik.

“Unë kam një mikun tim që është nga Skocia dhe jeton në Londër. Maksi është fotograf dhe shkruan libra. Dhe ky njeri donte të bënte një libër për Shqipërinë. Në telefonin tim i kam të gjitha bisedat me Maksin. Duke parë që Rama është edhe artist dhe i pëlqen kjo lloj fushe, mendova që e vetmja gjë që mund të bëja është t’i propozoj këtë projekt,” tha Hysa

Pra, zoti Hysa kishte shkuar në zyrën e kryeministrit për të ndihmuar mikun e tij skocez që të shkruante një libër për të promovuar Shqipërinë. Por që libri të realizohej me sukses duhej që më parë ai t’i nënshtrohej sugjerimeve dhe kritikës së komisionit letrar në kryeministri, të përbërë nga zoti Hysa dhe kryeministri Edi Rama.

Fati i librit të mikut skocez nuk u mor vesh asnjëherë. Por në atë kohë zoti Hysa angazhoi arsenal të fuqishëm mediatik për të mohuar lidhjet tij me kartelin e Sinaloas pas akuzave nga shtypi meksikan. Por edhe kryeministri u angazhua fort publikisht. I pyetur nga gazetarët në Shqipëri për takimin e tij me Luftar Hysën, Edi Rama i quajti akuzat shpifje dhe mediat e vatanit llum.

“E para nuk besoj se ka ndonjë dallim mes medias në fjalë meksikane dhe tuajës, se mund të thuhen të vërteta dhe shumë të gënjeshtra.Unë e konsideroj të neveritshme që me një copë letër që del diku, një artikull që del diku merret një familjet e tërë dhe kryqëzohet pa e pyetur fare, kush jeni, ku jeni dhe me çfarë merreni. Dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë dhe lidhet me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë. Nuk e di si bëhen këto pa asnjë kërkim dhe verifikim. Kap emra, përplasi pas murit. Ju qofshi dhe Zoti ju pastë nën kujdes juve që merreni me këtë sport. Unë nuk njoh ndonjë kartel, nuk kam lidhje me asnjë aktivitet ilegal. Nuk jetoj për të ngrënë më shumë dhe jashtënxjerrë sa më shumë, por për disa arsye të tjera. Ju kam lënë Zotin atyre që ndërtojnë të tilla fabula, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që përfshihen në këto sulme dhe goditje që shkatërrojnë jetë njerëzish. Doli një artikull atje dhe mbushet gjithë rrjeti i kanaleve të vatanit këtu me një llumhane që nuk di si i bëhet për ta frenuar” deklaroi Rama.

Por ky version i kryeministrit nuk i qëndroi shumë kohës. Një ditë më parë, kur u pyet nga gazetarët e Rai Tre nëse e kishte takuar Luftar Hysën, Edi Rama pati një qëndrim tjetër. Këtë herë mediat nuk ishin më llum dhe kryeministri nuk ishte më aq i bindur për pastërtinë e zotit Hysa.

“Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër,” tha Rama.

Megjithatë ky nuk ishte përgënjeshtrimi i vetëm i kryeministrit në lidhje me atë takim. Para gazetarëve të Rait zoti Rama pranoi se arsyeja e vizitës së Luftar Hysës në zyrën e tij ishte liçenca e kazinosë.

“Atje ka një investim të një familje vlonjate, që janë shumë të njohur në Vlorë. është një hotel me 5 yje, Marina Bay, një nga më të bukurit në Shqipëri. Dhe një ditë më telefonuan. Më thanë që është një kushëriri a i njohori ynë që jeton në Meksikë dhe që do të na ndihmojë për të operuar kazinonë. U thashë shumë mirë, ejani. Erdhën në zyrën time, i takova. Më thanë nëse kishte ndonjë ndalesë ligjore dhe më pyetën për informacione të përgjithshme mbi realizueshmërinë e kazinosë. Unë u thashë që në kemi një ligj të thjeshtë. Për të incentivuar hotelet me 5 yje, që nuk ishin në Shqipëri, kemi bërë një paketë lehtësuese taksash dhe u kemi dhënë të drejtën për të patur kazino. Ata e kishin këtë strukturë me 5 yje dhe automatikisht u jepej,” deklaroi kryeministri në Report.

Nuk dihet nëse kryeministri e ka në biklotekën e tij librin e skocezit. Por dihet e sigurtë që tek Marina Bay ka një kazino. Në fund të fundit libri dhe kumari janë sektorë shumë të ngjashëm me njëri tjetrin. Kryeministrit thjesht i ka rënë barra e rëndë, që në zyrën e tij t’i presë të gjithë. Edhe shkrimtarët, edhe bixhozxhinjtë, edhe ata që rrugës mund të dalin narcos./Kapitali.al

Exit mobile version