Shqipëria është sera europiane e drogës, kështu titullohet reportazhi më i fundit i italianes “Corriere della sera”, e cila publikon shifrat për drogën “made in albania”.
42 misionet përtej kufirit të policisë italiane që nga janari i këtij viti, kanë zbuluar 753 mijë bimë marijuanë në një territor prej 213 mijë hektarësh.
Kështu nis reportazhi i italianes “Corriere della sera” për Shqipërinë ku vendi ynë cilësohet si sera europiane e drogës.
Duke u kthyer në gushtin e 2004-ës, reportazhi tregon se si trafikantët – padronë të fshatit Lazarat shihnin të vinte një helikopter i policisë italiane, 400 metra mbi tokë, për të vëzhguar plantacionet e marijuanës. Sapo u afrua drejt tij u qëllua me kallashnikov. Në bord ndodheshin dy hetues, një marshall i Guardia di Finanza dhe një zyrtar shqiptar i Antidrogës. Për meritë të pilotit asnjë nuk u plagos, dhe pse plumbat qëlluan serbatorin kryesor, po helikopteri arriti të kthehej në bazë, që atëherë lartësitë kanë ndryshuar, por dhe gjeografia, mjetet, njerëzit dhe mënyrat e ofensivës. Teknikat e hetimit dhe në të njëjtën kohë niveli i trafikantëve. Por jo thelbi: Shqipëria është sera europiane e marijuanës.
Sipas marrëveshjes Itali – Shqipëri, avioni i Guardia di Finanza, një model i vjetër, por i besueshëm Piaggio, fluturon çdo vit për të monitoruar 20 për qind të territorit, përjashto qytetet, malet dhe lumenjtë. Që nga muaji janar janë bërë vëzhgime në 213 mijë hektarë të mbuluar nga plantacionet. Avioni, i cili fluturon në periudhën qershor – shtator, që është dhe periudha e rritjes së bimëve, nuk kalon më mbi Lazarat, ku dy vjet më parë ndërhynë forcat e policisë për ta marrë nën kontroll pas 20 ditësh betejë.
Metastaza tashmë ka pushtuar të gjithë vendin. Nga muaji janar i këtij viti në 42 misione janë zbuluar 753 mijë bimë marijuanë. Kudo. Duke llogaritur se një nga këto bimë prodhon mesatarisht dy kilogramë e gjysëm drogë, por ndonjëherë dhe dyfishin, llogaritet se vlera e saj është rreth 1300 euro për kilogramë. Kjo do të thotë se, në treg ato bimë, që u shkatërruan nga Policia e Tiranës do të kishin nxjerrë një fitim prej më shumë se 2 miliardë eurosh. Pothuajse një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Por ky nuk është momenti për të fajësuar një popull të tërë. Edhe pse me një përpjekje të vagët e që përqendrohet në temën e drogës, duke provokuar tensione, politikanët shqiptarë po lëvizin, përpiqen. Por nuk mund të lihet mënjanë përpjekja e madhe e guardia di finanza, në mënyrë të veçantë i grupit të misionit në Shqipëri nën drejtimin e kolonelit Joselito Minuto. Përkundrazi, vetëm në tre vitet e fundit, avioni Piaggio ka monitoruar 600 mijë hektarë territor dhe është rinovuar herë pas here për të mos humbur ritmin e trafikantëve. Këta të fundit kanë zgjedhur të nisen nga ishujt grekë për të qenë brenda Bashkimit Europian, duke pasur një rrjet të gjerë mbrojtjeje sidomos në Puglia, duke u bërë pasardhës të denjë të skafistëve të viteve ’90, por më të mirë teknologjikisht, më të guximshëm, aventurierë që nuk kanë frikë të udhëtojnë dhe kur në Adriatik ka stuhi. Por fitimet që marrin nga kjo veprimtari në fund e justifikojnë këtë rrezik. Kërkesat për marijuanë janë të vazhdueshme dhe në rritje, e klanet reagojnë menjëherë. Më pas në këto gomone, transportohen kokainë dhe armë, por dhe muxhahedinë që bëjnë vajtje – ardhje për luftën e shenjtë në Lindjen e Mesme.
Avioni italian i monitorimit është i pajisur me sensorë që gjurmojnë territorin. Të dhënat që merren përpunohen në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit të Studimeve në Napoli. Në këtë laborator teknikët dhe eksperti personal i financës lexojnë rezultatët e sensorëve. Lëvizja e radhës ka të bëjë me shpejtësinë e reagimit. Brenda 48 orësh bimët shkatërrohen në mënyrë që të identifikohen dhe kriminelët që menaxhojnë këto plantacione. Piaggio, fluturon një mijë metra lart në një distancë të domosdoshme sigurie. Por në aparatin shqiptar ka raste korrupsioni. Pagat e agjentëve të policisë janë të vogla, dhe pavarësisht ndjenjës për të nderuar uniformën dhe respektit për veten ka nga ata që janë blerë nga trafikantët. Trafikantë të pushtetshëm, mafiozë, të pasur dhe me njohje të rëndësishme.
Një nga hetuesit shprehet se problemi i marijuanës nuk ka pasur një rritje të papritur, por ka ekzistuar gjithnjë. Por është përmirësuar ndërgjegjësimi për këtë problem. Por tashmë është më e fortë dhe vetëdija se arrestimi i fshatarëve që kujdesen për plantacionet apo shoferëve të furgonëve që çojnë drogën tek gomonet, nuk mjafton. Duhen zbuluar drejtuesit e organizatave. Dhe në këtë rast, krerët e këtyre prganizatave bëjnë vajtje – ardhje nga Shqipëria në Itali, kthehen atje dhe fshihen kur e shohin se situata është e trazuar dhe rrezikojnë arrestimin. Për çfarë arsye? Ndodh që një urdhër arresti i lëshuar nga autoritetet italiane, në Shqipëri nuk ekzekutohet dhe të kërkuarit në mënyrë të pabesueshme arratisen, dhe më pas zhduken. Ata mbrohen nga klanet, nga terrori, nga kërcënimet ndaj më të varfërve që detyrohen t’i fshehin edhe në shtëpitë e tyre madje, dhe më pas të heshtin. Dhe ai që refuzon, kërcënohet se do i vrasin një të afërm. Por ka një shifër: me 400 mijë euro një i arratisur arrin të jetojë i qetë dhe larg prangave. Çmimi i një kilogrami marijuana në Puglia është 1300 euro, nëse shitet në veri të Italisë, ky çmim rritet shkon në 1800 euro.
Pikat e forta të Raportit
Megjithëse policia shqiptare arriti të futet dhe “të mbyllë” Lazaratin, në Shqipëri vazhdon të ketë drogë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është destinacioni dhe vendet se ku kultivohet.
Që nga janari 2016, 42 misione të Guardia di Finanzias kanë zbuluar 753 mijë bimë kanabisi, me një vlerë tregu prej dy miliardë euro, katër herë më shumë se PBB e Shqipërisë.
Që nga janari 2016, janë zbuluar 213 mijë hektarë tokë të mbjellur me kanabis.
Në tre vitet e fundit, helikopterët fluturues kanë zbuluar 600 mijë hektarë plantacione.
Trafikantët që përdorin gomonet për të dërguar kanabisin në Itali janë zhvilluar në krahasim me vitet ‘90. Ato janë sofistikuar dhe përdorin teknologjinë. Në ngarkesa shpesh transportohet edhe kokainë dhe armë.
Numri i trafikantëve të mëdhenj të arrestuar është i ulët. Ato shpesh lëvizin nga njëri vend në tjetrin, duke i shpëtuar policisë. Mjaftojnë 400 mijë euro që një trafikant t’i shpëtojë policisë dhe të fitojë lirinë.