Matjet nga metodologjia e Eurostat tregojnë se inflacioni në muajin prill u rrit me 2.3%, rezultat më i lartë se matjet kombëtare që referuan një rritje 2,1% në të njëjtin muaj.
Të dhënat tregojnë se çmimet janë rritur pothuajse në mënyrë të harmonizuar në të gjithë grupet, teksa teksa për ushqimet është raportuar një ritëm më i ulët rritje.
Sipas të dhënave në muajin prill 2024 IHÇK shënoi 2,3%. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,5% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Shërbimi arsimor” me 3,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,3%, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,9% secila, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,8%, “Shëndeti” me 2,5% , “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%, “Transporti” me 0,6% dhe “Komunikimi” me 0,1%.
Në muajin prill 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,01%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 1,3%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,2% secila, “Veshje dhe këpucë”, “Komunikimi”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secila. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0,4%.
Inflacioni në Shqipëri në muajin prill ishte më i ulët se mesatarja europiane me 2.6%. Nivelin më të ulët të rritjes së çmimeve e kishte Lituania me 0.3%, Danimarka, Finlanda me më pak se 1% dhe nga ana tjetër rritjen më të lartë e kishte Rumania me mbi 6% e ndjekur nga Belgjika, Kroacia dhe Islanda.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.
IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar
Shqipëria nisi publikimin e IHÇK-së nga muaji Janar 2017, INSTAT. indeksi llogaritet dhe publikohet sipas strukturës së Klasifikimit Evropian të Shpenzimeve individuale me 12 ndarje kryesore.
Periudha referuese e çmimeve është muaji Dhjetor 2020, ndërsa periudha referuese e indeksit është muaji Dhjetor 2020 Peshat për IHÇK janë llogaritur në përputhje me Rregulloren e Komisionit Europian. Peshat reflektojnë strukturën e shpenzimeve monetare të konsumit final të familjeve shqiptare dhe jo shqiptare në territorin e Shqipërisë.