Niveli inflacionit në muajin korrik i matur sipas metodologjisë së Eurostat në vendin rezultoi 2.5 për qind, një nivel 0.4% pikë % me i lartë se matjet kombëtare të INSTAT.
Sipas të dhënave që burojnë nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin korrik 2024 është 2,5 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,1% vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0%, “Veshje dhe këpucë” me 2,7%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,3%, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,1% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3%, “Transporti” dhe “Komunikimi” me 0,3% secili.
Në muajin Korrik 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i çmimeve të Konsumit është -0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,7% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 0,4% secili, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3% secili, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1%.
Rumania, Belgjika dhe Islanda kishin inflacionin më të lartë përgjatë korrikut në krahasim me vendet e tjera të Europës mbi 5%, teksa Finlanda dhe Letonia dhe Danimarka kishin nivelin më të ulët ne më pak se 1%. Inflacioni mesatar në Europë gjatë muajit korrik ishte 2.8%.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jo-rezidentë.
Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.