Eseisti dhe filozofi Michel Onfray çon për shtyp një libër në të cilin ndërton një teori të diktaturës duke u mbështetur në veprën e George Orwell. Në këtë libër pohon se ne kemi hyrë në një lloj shoqërie totalitare që shkatërron lirinë, abrogon të vërtetën dhe mohon edhe natyrën.
Ju nuk ekzagjeroni kur theksoni se Franca e 2019 ngjan me shoqërinë e “1984” të George Orwell?
Sigurisht që jo dhe besoj se edhe vetë fakti që dyshoj provon edhe se jemi brenda! Diktatura ka një të kaluar shumë të gjatë. E merremrin e saj nga Roma ku i jepeshin një njeriu pushtete të plota për zgjidhjen e një problemi, pushtete të plota që ai i kthente pa mëdyshje, me të mbaruar misionin e tij. Diktatura e ka lënë botën perëndimore me Perandorin e Mongolisë Gengis Khan në shekujt e XII e të XIII dhe më pas me Tamerlanin, Emirin e Transoksianës në shekullin e mëpasë.
Pastaj është kthyer në Europë me Savonarola në shekullin e XV e më pas me Cromëell, Calvin, Robespierre dhe Komitetin e Shpëtimit Publik të tij, etj. Megjithatë, në më të shumtën e herëve mendohet për diktaturën duke shikuar tek fashizmat e murrmë e të kuq të Hitlerit, Stalinit, Maos, Pol Potit. Paaftësia jonë për ta paraqitur fenomenin duke u nisur nga periudha të thella na detyron tashmë që të mos e mendojmë më argumentin e diktaturës jashtë të kaluarës tonë më të afërt. Por Hitleri dhe Stalini nuk janë masa e jashtme dhe ekstrahistorike e diktaturës.
Pse jeni bazuar mbi veprën e George Orwell për teorizimin e diktaturës?
Ngre hipotezën se George Orwell është një mendimtar politik në nivelin e Machiavelli apo të De La Boétie dhe se “1984” mundëson që të merren në konsideratë aspektet e një diktature pasnaziste apo passtaliniane në format me të cilat shqyrtojmë ekzistencën në kohën tonë. Kur më është dashur të sintetizoj punën time, kam propozuar skemën e një diktature të tipit të ri, që supozon një numër të caktuar objektivash: të shkatërrojë lirinë; të varfërojë fjalorin; të abrogojë të vërtetën; të asgjësojë historinë; të përhapë urrejtjen; të aspirojë Perandorinë.
E si realizohet e gjitha kjo?
Për të shkatërruar lirinë nevojitet: të sigurohet një survejim i vazhdueshëm; të shkatërrohet jeta personale; të asgjësojë vetminë; të argëtohet në festa të detyrueshme; të uniformojë opinionin publik dhe të denoncojë mendimin si kriminal.
Për të varfëruar fjalorin nevojitet: të praktikohet një fjalor i ri; të përdoret një gjuhë ambige; të shkatërrohen disa fjalë; të oralizohet gjuha; të flitet një gjuhë unike; të asgjësohen klasikët.
Për të abroguar të vërtetën nevojitet: të mësohet ideologjia; të instrumentalizohet shtypi; të përhapen lajme false; të ndërtohet realiteti.
Për të asgjësuar historinë nevojitet: të fshihet e kaluara; të rishkruhet historia; të shpiken kujtimet; të shkatërrohen librat; të industrializohet letërsia.
Për të mohuar natyrën nevojitet: të shkatërrohet kënaqësia e të jetuarit; të organizohet frustrimi seksual, ë higjenizohet jeta dhe prokrijimi i asistuar mjekësisht ( PMA).
Për të përhapur urrejtjen nevojitet: të krijohet një armik; të nxiten luftëra; të psikiatrizohet mendimi kritik; të realizohet njeriu i fundit.
Për të aspiruar Perandorinë nevojitet: të formatohen fëmijët; të menaxhohet opozita; të qeveriset me elitat; të nënshtrohen njerëzit falë progresit; të maskohet pushteti.
Kush mund të thotë se nuk jemi në këtë situatë?
Disa kristianë kanë teorizuar dhe praktikuar rezistencën shpirtërore ndaj totalitarizmit si rezistentët e Trëndafilit të Bardhë kundër Gjermanisë naziste. Është një burim frymëzimi për ju? Oh patjetër, që çke me të! Ama të konfrontohesh nuk do të thotë të arsyetosh. Diktatura jonë nuk sulmon trupat, shkatërron vetëm shpirtërat dhe kjo është një mënyrë tjetër për të shkatërruar trupat duke i lënë në jetë… Në vitin 2008 kam botuar një vepër teatrale me Botimet Galilée, “Ëndërra e Eichmann”.
Ngrija problemin e bindjes dhe të rezistencës duke bërë të takohen në ëndërr Eichmann dhe Kant disa orë përpara ekzekutimit të Eichmann. Gjatë procesit të tij, nazisti kishte thënë se ishte kufizuar të vepronte në mënyrë kantiane, gjë që Hannah Arendt e kishte vënë në diskutim dhe refuzuar në veprën “Eichmann në Jeruzalem”. Kurse unë demonstroja se fatkeqësisht Eichmann e kishte lexuar shumë mirë Kant. Dedikimi i kësaj vepre teatrale ishte si vijon: “Në kujtim të Inge Scholl dhe të Trëndafilit të Bardhë”.
Liria juaj e fjalës lidhur me të majtën apo edhe islamin bezdis. Është e nevojshme që të merret përsipër rreziku i një pozicionimi publik mbi argumenta të ndaluar, me rriskun se mos linçoheni, siç ka qenë rasti i kohëve të fundit i Agnès Thill, e cila është shprehur mbi prokrijimin e asistuar, apo i Francois Xavier Bellamy, i cili është pozicionuar lidhur me abortin?
Unë tallem me atë që shtypi i pushtetit mendon për mua. Nuk është ai që mat vlerën time. Por megjithatë ua shpërndaj njëlloj refleksionet e mia të gjitha mediave, akoma më mirë nëse janë të opozitës. Asnjë gazetar dhe as asnjë njeri i pushtetshëm nuk mund ta ndalojë penën apo fjalën time. Nëqoftëse do më duhet ta paguar këtë liri me përjashtimin nga shërbimi publik me asnjë gazetar që të habitet, atëhere, po, e kam paguar, nuk është ndonjë çmim i lartë! Masa e vlerës time gjendet në opinionin dhe në gjykimin e 3 njerëzve, prej të cilëve vetëm njëri është gjallë. Edhe pse shkruar akoma nën shikimin e ndjerë e dy të vdekurve të mi. Tashmë nuk mendoj, nuk flas, nuk shkruaj më përveçse nën shikimin e një personi të vetëm. Dhe ky është luksi i pafundëm i lirisë së vërtetë, jam mjaft i vetëdijshëm për këtë….
Teoria e gjinisë është produkti i një shoqërie totalitare?
Është produkti i një shoqërie objektiv i së cilës është t’i bëjë një luftë totale natyrës, për të vepruar në mënyrë të tillë që gjithçka, ama gjithçka, të bëhet artifakt, produkt, objekt, gjë, arteficë, pajisje, me fjalë të tjera: një vlerë tregtare. Në harkun e 100 viteve ekziston mundësia e një kapitalizmi integral në të cilin do të prodhohet gjithçka dhe, për pasojë, gjitçka do të shitet e gjithçka do të blihet. Teoria e gjinisë është një prej gurëve të parë të themelit të këtij burgu planetar. Ajo përgatit “transhumanin”, që është edhe objektivi final i kapitalizmit. Me fjalë të tjera: jo zhdukja e kapitalit siç besojnë neomarksistët, por afirmimin i tij total, përfundimtar, të pakthyeshëm.
Duke u lejuar çifteve femra aksesin në prokrijimin e asistuar, zinxhiri biologjik do të zëvendësohet nga një “zinxhir qëllimi”. Sipas jush kjo do të kontribuojë në krijimin e një shoqërie totalitare, siç përshkruhet në librin “1984”?
Kjo është për t’u kuptuar në brendësi të procesit të denatyrimit dhe transformimit artificial të realitetit. Mohohet natyra, aty shkatërrohet, aty përbuzet, aty bëhet pis, aty shkatërrohet, aty shfrytëzohet, aty ndotet dhe më pas zëvendësohet me diçka artificiale. Për shembull me trupat: më shumë hormone, më shumë gjendra endokrine, më shumë testosteron, por gjithësesi gjëra që prishin ekuilibrin endokrin! Mundohuni të kuptoni… Apo edhe injeksionet hormonale për ata që duan të ndryshojnë seks. Kjo urrejtje për natyrën, kjo luftë për shkatërrim e shpallur natyrës është pararoja e projektit “transhumanist”.
Nga ana tjetër, nuk kam qenë kurrë baba biologjik, por falë një martese me një grua që është syri vigjilent nën të cilin tani shkruaj, në vijim të adoptimit të dy fëmijëve të rritur të saj, jam bërë baba e gjysh i fëmijës të asaj që është bërë vajza ime e rritur: kështu që nuk jam kundër një gjëje të tillë, pasi unë vetë ia mishëroj projektin, por gjithçka duhet të jetë brenda një logjike në të cilën nuk privohet fëmija nga pikat e referimit për të cilat ka të drejtë. Kam luftuar shumë kundër petapsikologjisë së psikanalizës frojdiane dhe mund të them se e rigjendem në luftë me disa psikanalistë që i kundërvihen kësaj zhdukjeje të babait, në favor si të shfaqjes të një babai të dyfishtë, ashtu edhe të një nëne të dyfishtë.
Djegia e Notre-Dame ka qenë një elektroshok për shumë njerëz, por ka qenë edhe rasti për të rizbuluar një trashëgimi arkitekturore dhe shpirtërore. Ishte një tallje për shoqërinë “nihiliste” që denonconi ju?
Unë i jam kundërvënë leximit të këtij apo të atij tjetri që riciklonin kafshëritë e vjetra e mendimit magjik: ndëshkim hyjnor, sinjal i dërguar nga Zoti, paralajmërim dërguar jobesimtarëve… Kam dëgjuar të thuhet edhe se dora e Zotit e kishte larguar nga zjarri kurorën e famshme me gjembaçë të Krishtit, pa arritur të kuptohet sesi ka mundësi që e njëjta dorë kishte mundësuar njëkohësisht qarkun e shkurtër apo zjarrin e shkaktuar! Përkundrazi, kam treguar tek “Dekadenca” se aventura e Sagrada Familia të Barcelonës kishte kuptim: e vendosur dhe e nisur në shekullin e XIX, e vazhduar por asnjëherë e arritur të përfundohej në shekullin e XX, gjithsesi e bekuar nga një Papë që ka abdikuar në shekullin e XXI e më pas teatër i një atentati islamik fatmirësisht të shmangur, ishte një koncentrat i historisë së krishterimit dekadent.
Nga dritarja e zyrës time shoh Abacinë e Njerëzve të ndërtuar nga Vilhelm Pushtuesi 1000 vjet më parë: në rreth 30 vjet ka ndërtuar dy abaci vetëm në këtë qytet – pa folur për kështjellën dhe ndërtesat e tjera laike… duhet thënë se shpejtësia e Paraklitit nuk është më e njëjta! Por djegia e Notre-Dame futet në një perspektivë tjetër: ndërsa presim konkluzionet e hetimit të ngarkuar, bëhet fjalë për një incident në të cilin Zoti nuk ka pasur më shumë pushtet sesa Shpirti i Kohës.
(Samuel Pruvot e Hugues Lefèvre për Famille Chretienne)
Përgatiti
ARMIN TIRANA