Nga Marçel Hila
Një sqarim për dashamirësit që nuk po e honepsin aderimin tim në Koalicionin Euroatlantik, por që është edhe përgjigje për ata që me gjuajnë nga profilet false
Nuk më shkon mendja të bëhem avokati i zotit Basha. Ai ka aq oratori sa të zhbëjë akuzat që i drejtohen, fuqi bindësi sa të neutralizojë fjalët poshtëruese e plot ironi që bien mbi të. Ai ka mundësi t’i dalë zot vetes. Unë nuk shtyhen deri aty. Do ta fyeja më shumë se do ta ndihmoja. Është detyrë vetëm e tija të japë përgjigje, nëse e ndjen. Të shprehet, pra, e t’ua shpjegojë atyre që e akuzojnë se është apo nuk është besëprerë, tradhtar, i shitur! Të sqarojë se nuk është kafshë, siç tha Monika Kryemadhi para pak ditësh në një emision televiziv. Të argumentojë se nuk është krijesa më e shpifur e më e neveritshme, sipas fjalëve të ish-zonjës së parë. E meqë Monika është një femër fine dhe e zgjuar, (i kërkoi drejtueses së emisionit që ia drejtoi pyetjen se çfarë mendonte për zotin Basha), i tha që të mos ia zinte me gojë atë njeri.
I takon ‘Lul Bravës’ që të mbrojë veten.
Mua, personalisht, drejtpërdrejtë, disa vullnetmirë, me keqardhje, deri me naivitet, por edhe të tjerë, edhe me sarkazëm, të tillë që e besojnë veten më të zgjuar se duhet, me tallje e përqeshje, më kanë drejtuar kritika e sulme edhe nga profile false: pse pranova të marr pjesë në koalicionin e drejtuar prej tij.
Nëse doni t’i dini arsyet e mia, po i parashtroj.
– Në një takim që pata me zotin Basha më foli për cilësinë njerëzore të kandidatëve për deputetë të Koalicionit Euroatlantik. Më tha se para se të bënte publike listën e atyre që ka përzgjedhur, kishte verifikuar një për një nëse ndonjëri prej tyre kishte qenë anëtar i Partisë së Punës! Asnjë kandidat nuk ka qenë i tillë. Kjo është një risi absolute. Shumë për t’u përgëzuar. Askush nuk vjen nga radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë. Pse të mos kishte aprovimin tim? Plotësisht dakord. Shumë prej atyre që nuk e pranojnë zgjidhjen time, duhet të tregojnë se pse janë kundër një vendimi të tillë.
– Askush prej këtyre që garojnë nuk ka rekorde kriminale, asnjëri nuk kanë qenë i burgosur apo i dënuar për krime të rënda ose ordinere. A nuk jeni dakord me një zgjidhje të tillë?
– Asnjëri nuk është aktualisht nën hetim nga SPAK-u. Askush nuk ka në ngarkim një proces hetimor ose gjyqësor. Asnjëri. A nuk jeni dakord me një zgjidhje të tillë?
Një grup i tillë kandidatësh është pasuri e vërtetë. Tani pse duhet të më drejtohet pyetja se pse pranova të garoja bashkë me kolegë të tillë? Ndershmërisht nuk kam përgjigje të jap. Absurdi është i madh. Çfarë përgjigjeje duhet të jepet, kur të bëhet një pyetje e tillë e kur më këshillohet që të largohem urgjentisht, sepse aty gjendet historiania shkencëtare Nevila Nika, (tradhtare?); intelektualja profesoreshë Oriola Pampuri (besëprerë?); intelektualja Taulanta Jupi (e shitur?); doktori neurolog Neli Demi (edhe ky i shitur me një çmim të lirë te Sorosi); Rudi Erebara, shkrimtar, publicist, përkthyes (besëprerë???); Marinela Ziu, (??? si t’ia vëmë epitetin? Tradhtare apo bravë-prodhuese); Shpëtim Agolli, specialist i ekonomisë si pak kush, (edhe ky tradhtar i regjur???); Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, doktoreshë Diana Toma, (e shitur); Intelektualja dhe sportistja e dalluar, grua me vlera, Valbona Lisha-Cuku? (tradhtare???); Shpresa Fasllija, pedagoge e nderuar, grua me përvojë në mësimdhënie? (Besëprerë???). Të gjithë këto tradhtarë, besëprerë, të shitur, fabrikantë bravash? Për të qeshur e për të qarë. E me sa siguri i thonë këto akuza poshtëruese, e me sa seriozitet kërkojnë që këto fjalë t’ua marrin në konsideratë të tjerët? E nuk e kuptojnë se bëhen të neveritshëm kështu, kur të paktën hedhin këto shpifje për zonja të vërteta e të nderuara. Sikur Zoti Basha, një ditë, do t’i cilësonte si të shitur e të blerë, besëprerë e tradhtarë, njerëzit e zotit Berisha, duke i akuzuar në rrenë, kryesisht gratë, do të ikja e do t’ia mbathja, sepse nuk e meriton besimin tim. Por nuk e kam dëgjuar t’i thotë askujt besëprerë, tradhtar, i shitur …
Me të vërtetë u ndjeva i nderuar të jem pjesë e këtij grupi.
Sot, Koalicionin Euroatlantik, (sikurse anatemohet e bëhen prognozat nga sondazhet e siç edhe trumbetohet), nuk merr votat e mjaftueshme që të jetë forcë e rëndësishme. Kjo do të thotë se nuk do të ketë një peshë politike. E si e tillë, nuk do të jetë e thirrur në bëjë pjesë në asnjë koalicion post-zgjedhor. Pse, pra, atëherë grupimi qëndron i bashkuar? Pse nuk largohen njerëzit? Pse nuk e braktisin partinë e pse nuk ia mbathin? E dinë, e kanë marrë vesh se nuk fitojnë asgjë, se nuk përfitojnë, se nuk do të kenë vende në parlament për ta, nuk do të kenë fatin të pranohen në koalicionin fitues madhështor të Kujtim Gjuzit dhe dikush, këto ditë, ua hoqi krejtësisht shpresën Bashës e Alibeajt të kenë të ardhme në politikë: nuk do të ketë kurrë koalicion me këta të dy e ndarja do të vazhdojë deri në vdekje. Pse, pra, po qëndron grupimi i bashkuar pas gjithë këtyre paralajmërimeve ogurzeza e që të çojnë në dëshpërim? Pse nuk shërbëhet? Nuk ju bën përshtypje ju kjo rezistencë deri në kokëfortësi? Pse po i bëjmë ballë tundimeve e nuk ikim? Pse po i përgjigjemi negativisht ftesave që ta braktisim Lul Bravën? Krejt e thjeshtë përgjigja: se ky grupim përbëhet nga idealistë që nuk duan asgjë, që nuk pretendojnë asgjë, që nuk luftojnë për poste e për privilegje, kur e dinë se nuk do të marrim asgjë. Veç rrimë aty. Të tjerë vrapojnë, bëjnë llogari, hesape, vlerësojnë, peshojnë propozimet. Ne jo. Mund të mos kemi asnjë peshë. Qëndrojmë. Rezistojmë. A nuk u bën përshtypje atyre që na kritikojnë se asnjëri prej nesh nuk largohet, nuk kthen shpinën, nuk braktis grupin, partinë, garën? Është për të bërë përshtypje. Të 140 kandidatët vazhdojnë fushatën, edhe pse nga të gjitha drejtimet jemi të bombarduar me fjalët e kërcënimet shpresë-pakta se nuk fitojmë gjë, se nuk marrim as edhe një deputet në Tiranë, se nuk e kalojmë shifrën prej 1 për qind. Nëse gjërat janë kështu – ta hamendësojmë se janë kështu punët – sa mund të zgjidhen deputetë? Aspak? Pak? Po. Po pse vazhdojnë pa kthim pas? Pa u tunduar. Stina e largimeve mbaroi. U mbyll. Të fundit na lanë e shkuan tek Foltoristët Madhështorë. Interesaxhinjtë na lëshuan të gjithë. Ia mbathën tek fitimtarët. Kemi mbetur ne. Të marrë apo idealistë? Në pritje të përgjigjes tuaj po qëndrojmë. Nëse kjo qëndrueshmëri është faj, atëherë është një faj kolektiv i 140 kandidatëve dhe i të gjithë anëtarëve të partisë, që vazhdojnë të rrinë bashkë. Ata me ne, ne me ata. Të paktën për këtë këmbëngulje të shumicës së anëtarëve dhe tonën, mos i vini faj Bashës. Vendimin për të qëndruar e kemi marrë pa shtysë, pa shtrëngim, në liri. Është e drejta e jona. Dhe mos fajësoni si interesaxhinj njerëzit që nuk luftojnë të përfitojnë.
Lul Basha e ka bërë të qartë dhe e ka përsëritu çdo ditë se kjo partia e jonë e vogël, e mesme, modeste nuk do të bëjë kurrë koalicion e as marrëveshje me partinë e Ramës e as me koalicionin Madhështor. Rama se është i korruptuar e me krejt qeverinë në burg. Nëse Basha është tradhtari, besëpreri, i shituri, ai do të kishte shpejtuar me kohë që të shitej e të bënte marrëveshje përfitimi me Ramën. Por deri tani jo. Garon i vetëm, pa askënd. Thjesht për parime e jo për interesa. I vetëm është i dobët, por e ka pranuar sfidën. E ky qëndrim, kjo betejë, më pëlqen, më motivon. Do të thoni ju se ai marrëveshjen do ta bëjë pas zgjedhjeve???? Nëse është kështu, po, ai do të ishte tradhtar, por mos flisni pa ndodhur gjërat, mos thoni gjëra para kohe. Nëse është i shitur e i blerë, tradhtar e besëprerë, do të jetë nesër, jo sot. Por ju e bëtë të tillë pa pasur asnjë fakt. Atëherë do të ishte tradhtar e i shitur e jo sot. Mos ia vini epitetin në kohë të gabuar.
Por Basha tha se nuk do të bënte koalicion as me Madhështorët. Nëse ai e ha fjalën e do të bëjë marrëveshje me foltoristët, atëherë do të ishte tradhtar e besëprerë, i shitur e çka të doni ju. Por deri tani nuk e ka bërë e as mos e akuzoni para kohe as edhe në këtë rast. Prisni fundin e zgjedhjeve. Por ju e dini fundin. Ai nuk do të marrë asgjë e nuk ia vlen të merreni me të.
Po Madhështorët foltoristë a do t’ia shtrijnë dorën, nëse Basha merr mandate e do t’u shërbejnë atyre? Gjithnjë nëse ai merr ndonjë? Nëse ia shtrijnë dorën atëherë do të jenë ata – foltoristët – besëprerët, sepse po hanë fjalët e tyre dhe topi u kalon atyre në fushë. Por meqë janë të patundur e me karakter, do të mbesin pa ia shtrirë dorën e do të rrimë pa qeveri, në rast se do të jetë nevoja për ata mandate, gjithnjë nëse i marrim, sepse nuk kemi shans t’i kemi, sipas parashikimeve të tyre, e do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme e armikut nuk i përulen. Djegin jorganin për një plesht.
Por Basha nuk do të bëjë një koalicion të tillë. E kështu nuk do të cilësohet si tradhtar e besëprerë. Do të qëndrojmë në opozitë. Ky qëndrim pa u shitur e pa u blerë a do t’i merret si ai i një tradhtari? Ky qëndrim mua më pëlqen shumë e më motivon. Është për t’u admiruar ai, jo për t’u përqeshur.
Prandaj, pasi e kam verifikuar se kandidatët e tij janë një përzgjedhje e mirë dhe të pa akuzueshëm, se nuk ka brenda asnjë anëtarë të ish-Partisë së Punës, pasi nuk bën koalicion me asnjë parti që drejtohet nga persona të padëshirueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërisë së Bashkuar, vendosa për ‘po’. Tani, për cilën nga këto pika që parashtrova, ai mund të konsiderohet si ‘besëprerë’? ‘Tradhtar’? ‘I shitur’? Ah po, nëse pas zgjedhjeve ai do të hante fjalët e do të bashkohet ose me Ramën ose me Berishën, atëherë do të shkelte premtimet e do të ishte besëprerë ndaj nesh, grupit qe e mbështeti, tradhtar i ideve që shprehu, i shitur tek ata prej të cilëve u poshtërua. Por mos u frikësoni se ju vetë e thoni se ai nuk merr asnjë një për qind të votave. Pra nuk do të ketë peshë politike.
Pse merreni me të atëherë? Mos e fusni në listë.
Jemi ne fajtorët, ne që nuk e braktisim këtë formacion politik. E pse? Sepse ka ekipin më të mirë, e kryesisht mos bashkëpunimin me Ramën e korrupsionit dhe Ilir Metën e vjedhjeve me shokë.
Nëse gjërat janë kështu, pse në sytë tuaj ai është i papranueshëm? Pse quhet tradhtar, kur ende nuk ka shkelur asnjë nga pikat e qëndrimeve të tija politike? E më kërkojnë llogari se pse zgjodha të bashkëpunoj me të? Përgjigjet i keni këtu. Ndershmërisht nuk e ndjej se më duhet të shkoj tek koalicionin i madh i Ilir Metës e i kapos së Klanit të Zemunit Agron Dukës, i Shpëtim Idrizit e i Fred Belerit, i atij që ka dehur femra në rininë e tij me uiski e tek Elvis Roshi, tek gaztori Kujtim Gjuzi që jep spektakle gratis e tek personazhet groteske të demokracisë shqiptare.
Kështu, nëse keni akuza ndaj Lul Bashës, se është kafshë siç tha Monika në emision televiziv e nuk i duhet zënë emri në gojë, drejtojani atij. Thoni atij: pse je kafshë? Thoni pse tradhton? Pse pret në besë? Pse shitesh? Thuajani e do merrni përgjigje. Mua mos bëni mua pyetje të tilla. Unë për vete ju bëra pyetje sesi shpjegohet që një grup i pastër moralisht, i aftë të profesionalisht, i padënuar asnjëherë, pa qenë asnjëri asnjëherë anëtari i partisë së punës, nuk e braktis formacionin politik, nuk i kthen shpinën grupit, por ka vendosur, i vogël e i paktë në numër, të ecë bashkë në këtë rrugëtim politik. Tani pres përgjigje prej të gjithë atyre vullnetmirëve të sinqertë e dashamirës që bëjnë vërejtje, por edhe atyre që më sulmojnë me ironi, me fyerje e me insinuata nga profile false.
Kur një gjë është e mire, pse duhet ta braktis? Pse të ikja nga Partia madhështore Demokratike? Pse të zgjidhja një formacion politik të vogël, pa peshë, pa shpresë, pa rëndësi? Që drejtohet nga një Lider me një mal me akuza, që përqeshet, që sulmohet, që anatemohet, që goditet pa pushim. Një njeri me mend zgjedh aty ku nuk ka probleme, aty ku përfiton më shumë, aty ku nuk bie pre e poshtërimeve. Por shumë ishim ne që zgjodhën këtë parti pa peshë e pa shpresë. Me vetëdije, pa pendim, pa u tunduar që të kthehemi pas. Nuk është e lehtë sfida. Do të doja që ju të mendonit pak e të më përgjigjeshit me thellësi.
Ja, pra beteja mund të jetë e gjatë, pa një sukses të shpejtë e të menjëhershëm, por me qëllimin e mirë: që të kemi një formacion politik qe ndihmon ne fundin e tranzicionit politik. Por Partia e Madhështorëve nuk mund ta bëjë këtë revolucion. Është tërësisht e kalbur me gjithë ato helme që ka marrë brenda saj. “Pak tharm fermenton gjithë brumin” – thoshte Shën Pali në letrën e tij të Parë drejtuar Korintasve. Po tharmi i Ilir Metës, i Kujtim Gjuzit, i Agron Dukës, i Dules e i Belerit, i i Shpëtim Idrizit e i Elvis Roshit, e i shumë të tjerëve a nuk e ka kalbëzuar krejtësisht të djathtën tonë shqiptare? Patjetër që po. Duhet një revolucion, pritet vetëm një fillim tjetër e ditë të tjera.
Në këtë përzgjedhje nuk pata e nuk kam as më të voglën vrarje të ndërgjegjes, asnjë hezitim. Zgjodha të militoj në një parti të djathtë, (pa Ilir Metën brenda) konservatore, (pa sorollopë pa identitet në të) evropiane, (pa Zemunin serb brenda) që mbron vlerat: jetën, besimin, familjen, dinjitetin.
Dashamirët që nuk e pranojnë zgjidhjen time, i kanë përgjigjet për keqardhjen e tyre këtu.