Migena Shyti Kapllani: “Rama ka mbjellë frikën në popull, është koha për ndryshim”

Migena Shyti Kapllani, kandidate për deputete e Koalicionit Euroatlantik në Elbasan, ka reaguar në rrjetet sociale duke kritikuar frikën dhe manipulimet që, sipas saj, po mbjell qeveria Rama në popull. Ajo thekson se shumë qytetarë po jetojnë nën presion, duke shprehur shqetësimin për frikën e administratës dhe abuzimet që ndodhin në fushatën parazgjedhore.

“Dëgjoj çdo ditë se: ‘Mos më ngatërro, se jam në administratë’,” shkruan Kapllani, duke përmendur një fenomen të përhapur ku qytetarët kanë frikë të shprehin mendimin e tyre apo të votojnë ndryshe nga udhëzimet e pushtetit.

Kapllani përmend që kjo është një situatë që pengon zhvillimin e shoqërisë, duke bërë thirrje për një ndryshim të thellë. “Për të arritur ndryshimin, nuk duhet të kemi frikë, por të votojmë për ata që janë të ndershëm dhe që mund të sjellin një qeverisje të re.”

Ajo gjithashtu përmendi se frika dhe manipulimi i administratës kanë shkaktuar një dëm të madh për shoqërinë dhe kanë nxitur largimin e qytetarëve nga vendi. “Në 12 vite janë larguar 800 mijë vetë, dhe nëse kjo vazhdon, Shqipëria do të vdesë,” shkruan ajo, duke theksuar se ky është një proces që duhet ndaluar me çdo kusht.

Kapllani përfundon me një thirrje për të larguar praktikat e vjetra dhe për të sjellë ndryshim, duke e konsideruar votën si mundësinë për të shpëtuar vendin dhe për të kthyer fëmijët në shtëpitë e tyre.

Më poshtë postimi i plotë:

FRIKA QË MBJELL RAMA NË POPULL

“Kam vajzën në punë”, “e kishin thirrur dje djalin”, “mos më ngatërro mua se jam në administratë”, “këta/ata të heqin”, “mos i thuaj njeriut që do të votoj se jam me asistencë” e të tjera si këto dëgjoj çdo ditë kur takoj njerëz.

Çdokush ka të drejtë të jetë zë ndryshe e të kërkojë të drejta edhe kur punon në administratë. Keni dëgjuar ju për sindikata që punonjësit kërkojnë të drejta? Jo, sigurisht, madje të heqin nga puna.

Keni dëgjuar ju që çdokush pas orarit të punës ka të drejtë të protestojë kudo për bindjet e veta edhe nëse punon në administratë? Jo, se juve ju heqin nga puna.

Keni dëgjuar ju që shteti e ka për detyrë të mbështesë qytetarët me asistencë, me mbështetje nga zyra për t’ju punësuar? Jo, se ju ju heqin asistencën.

Dëgjoj të thuhet se të jesh i ndershëm nuk ecën e nuk bën hajër. Ja që e kam dëgjuar dhe çmeritem çdo ditë.

Aq pis e kanë bërë politikën këto 35 vjet sa që të jesh në parlament duhet të jesh 99-anç që t’ia dalësh. Po pse, si ia kemi dalë kaq vite në jetë pa bërë gabime, pa përdorur pushtetin, pa nënshtruar e poshtëruar njeri?!

Bëni ju me votë ndryshimin, zgjidheni ju me shumicë njeriun dhe pushtetin.

Në kosh nuk shkon vota që ia dërgon njeriut të ndershëm; në kosh shkon vota kur voton krimin.

Sot nuk duhet të ndajmë njerëzit në të majtë e të djathët thotë dikush, por në të ndershëm e hajdutë.

Jo, nuk duam votë me frikën e bandave që mbështesin kandidatët, as me përdorimin e administratës, as me shfrytëzimin e njerëzve me asistencë, as me abuzimet e “bëj në kohë fushate atë që nuk lejohet”.

S’duhet të kemi frikë nga minjtë në tavan që shtohen. E keqja që shtohet nëse nuk luftohet sot, do ju largojë vazhdimisht nga shtëpitë tuaja.

Në 12 vite janë larguar 800 mijë vetë, e po vazhdoi me këtë ritëm, ky vend do të vdesë. Kush do i punojë tokat, kush do i hapë e ruajë shtëpitë?!

Mos u besoni shpurave që u shkojnë nga pas që qeshin e zgërdhihen me batuta bajate e bullizuese.

Populli hesht dhe kjo heshtje i ngjan një tenxhereje me presion që do të shpërthejë për ndryshimin më 11 maj. Boll më me prizat e vjetra.

#Voto4

#Shqipëria_meriton_më_shumë

#Ktheni_fëmijët_në_shtëpi

#Votoni_zyshën_tuaj

Exit mobile version