Drejtuesit e Virtus Entellas janë në kërkim të një mesfushori me cilësi në organizimin e lojës, profil të cilit i përshtatet futbollisti kuqezi. Sigurisht që për ta bindur 29-vjeçarin Migjen Basha drejtori sportiv i Virtus Entellas, Superbin, duhet të bëjë ofertën e duhur financiare. Për mesfushorin e kombëtares shqiptare interesohen disa ekipe, ku së fundmi ka dalë në skenë emri i Virtus Entellas, skuadër që e mbylli kampionatin sezonin e kaluar në vendin e nëntë, një pozicion poshtë zonës play off.
Basha nuk do ta kishte problem përshtatjen te ky ekip pasi e njeh mirë Serinë B, ku gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar mbrojti ngjyrat e Comos, por pa mundur ta shmangte rënien nga kategoria. Gjithashtu pjesëmarrja me Shqipërinë në Euro 2016, është një tjetër bonus për Bashën për të siguruar një tjetër kontratë në futbollin elitar.