Migjen Basha shkëlqen me Barin

Bari i Migjen Bashës ka marrë dje një fitore të rëndësishme në misionin drejt ngjitjes në futbollin italian. Skuadra e trajnerit Kolantuono mposhti në transfertë Beneventon e vendit të dytë në javën e 27-të të Serisë B. Mesfushori i kombëtares sonë edhe dje ishte titullar në suksesin 4-3 që i ngjit përkohësisht bregdetarët në pozitën e pestë me 40 pikë.
Basha bëri një paraqitje pozitive dhe u vlerësua pozitivisht nga media italiane. “Tuttomercatoweb” i vuri notën 6.5 me argumentin: “Të gjitha aksionet e bardhekuqve kalojnë nga këmbët e tij. Fiton disa goditje dënimi”. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Emanuele Ndoj nuk ishte i grumbulluar për shkak kartonësh në fitoren e Breshias së tij 4-1 në shtëpi ndaj Çitadelës.

Artikulli paraprakAjeti titullar, Strakosha në stol
Artikulli tjetërBenfica konsolidon kreun