Migjen Basha zyrtarizohet tek Bari

Tashmë është zyrtare, Migjen Basha është lojtar i Barit në Serinë B italiane. Nëpërmjet një komunikate në faqen e klubit italian shkruhet se mesfushori shqiptar ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, pra do të jetë pjesë e Barit deri në verë të 2018-ës. Në fakt Basha kishte nisur stërvitjen me skuadrën puljeze që të martën e kaluar, por zyrtarizimi i tij kishte mbetur peng i një faksi nga Luzerna, që vërtetonte prishjen me konsensus të kontratës me klubin zviceran. Menjëherë pas hedhjes së firmës në kontratë, Basha i përshëndeti me një videomesazh tifozët e Barit, duke i ftuar të gjithë që të jenë të pranishëm në San Nicola.
29-vjeçari, një lojtar grintoz dhe me vizion të lojës, mbetet po në Serinë B, teksa gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar veshi fanellën e Comos, por pa mundur të shmangë rënien nga kategoria. Falë eksperiencës së gjatë në futbollin italian, Basha pritet të jetë elementi kyç në përpjekjen e Barit për t’u ngjitur në Serinë A.
Më herët është raportuar se transferimi i Bashës mbahet peng nga një faks zyrtar që duhet të konfirmojë kalimin e kartonit të tij në Federatën italiane nga Federata zvicerane, ndërsa tekniku i Barit thotë se futbollisti do t’i nënshtrohet edhe një faze të shkurtër përgatitore që të përshtatet me pjesën tjetër të ekipit.
“Për Bashën do të presim transferimin. Ka bërë testet fizike dhe do të bëjë një fazë të vogël përgatitore për t’u përshtatur me shokët e ekipit, siç ka ndodhur për Deprelan që nesër do të jetë në transfertën ndaj Palermos”, ka thënë Roberto Stellone. Mediat italiane shkruajnë se Basha ka marrë dritën jeshile nga klubi i Luzernës dhe ai po stërvitet prej disa ditësh me klubin e Serisë B, por mesa duket do të pritet ende deri në konfirmimin zyrtar.
Icardi-Napoli është padyshim telenovela më e gjatë e kësaj vere në merkaton e transferimeve në Itali. Largimi i Higuain e ka vënë përpara përgjegjësisë presidentin e Napolit, De Laurentis dhe kërkesa e trajnerit Sarri lidhet me argjentinasin e Interit, Icardi. Interi ka refuzuar të gjitha ofertat e napoletanëve dhe misioni i trajnerit të ri të zikaltërve është që ta bindë numrin 9 të qëndrojë në “San Siro”. Oferta e fundit e Napolit erdhi të mërkurën në mbrëmje: afërsisht 70 milionë euro për Interin dhe një rritje e pagës në 6.8 milionë euro në sezon deri më 2021, si dhe të drejtat e imazhit për Icardin. Interi, përballë këtyre pretendimeve mund të thyhet vetëm në rast se sulmuesi dhe menaxherja e tij Wanda do të pranonin ofertën.
Interi ndërkohë ka hedhur sytë nëpër klube të tjera dhe emrat më të lakuar janë ato të Cavani, Alexis Sanchez dhe Aubaumeyang, por që duken me vlera pak të larta për buxhetin zikaltër. Ndërkohë, Interi orët e fundit ka hedhur sytë nga një preferencë e vjetër, Lorenzo Insigne, sulmuesi i Napolit, që duket se nuk është shumë i kënaqur. Interi e shikon si alternativë B nëse nuk arrin të sjellë në Milano Gabigol. Edhe një vit më parë në këtë kohë Interi ofroi 30 milionë euro për Insigne.

Artikulli paraprakËndrra e pamundur
Artikulli tjetërFaqja e parë