Mihajloviç: Ajeti është i justifikuar, të tjerët jo

Torino arriti të kualifikohej në turin tjetër të Kupës së Italisë pas fitores përballë Pizës, një ndeshje në të cilën debutoi për herë të parë në ndeshje zyrtare me këtë skuadër mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Arlind Ajeti. Lojtari shpreson të ketë bindur trajnerin Sinisa Mihajloviç me paraqitjen e tij dhe trajneri serb justifikoi pikërisht 23-vjeçarin shqiptar në shpërthimin e tij pas ndeshjes, ku kritikoi shumë prej futbollistëve që kishte aktivizuar në këtë sfidë.
“Nuk treguam asgjë në fushë, zero parime loje. Stërviten të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe për mua është e pafalshme që lojtarë të Torinos, në një turne të rëndësishëm si Kupa e Italisë, të hyjnë në fushë kështu. Disa ishin të justifikuar, si Ajeti, i cili nuk ka luajtur asnjëherë apo djemtë e rinj, por nga të tjerët prisja shumë më tepër”, ishin fjalët e Mihajloviç në konferencën për shtyp pas ndeshjes, të cilin ekipi i tij e fitoi me rezultatin 4-0 pas shtesave.
“Një herë mund të gabohet. Unë do të vazhdoj të flas për 22 titullarë, por sigurisht që nuk do të ketë më raste për të gabuar për ndonjë. Sot, shumë luajtën edhe xholin”, paralajmëroi trajneri.

Exit mobile version