Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kremtuan festën e Pashkës me meshat që u mbajtën në të gjitha kishat ortodokse dhe ato katolike.
Në Tiranë, meshat u mbajtën në Katedralen Katolike “Shën Pali” dhe në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Besimtarët u mblodhën për meshën e Pashkëve, festën më të madhe të kalendarit të krishterë që simbolizon ringjalljen e Jezus Krishtit.
Kremtimi vazhdoi edhe në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës. Mesha u drejtua nga Krypeshkopi Joan, i cili dha mesazh shprese.
“Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim. Kemi sigurinë se dashuria e Tij është më e fortë se urrejtja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Ata që shpresojnë te Zoti do të ripërtërijnë forcën e tyre. Nëse do të ndizet drita e ngjalljes, edhe marrëdhëniet mes njerëzve do të ndriçohen. Sakrificat janë të domosdoshme për shërimin tonë shpirtëror.
Ndoshta sot më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës. Ngjallja e Krishtit na premton një të ardhme të ndryshme. Ai na ka bërë pjesëtarë të ngjalljes së Tij. Sakrifica, ashtu si bekimi, nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme”, tha Kryepeshkopi Joan.