Duke marrë shkas nga bllokimi nga bora i disa zonave veriore dhe juglindore, kreu i opozitës, Lulzim Basha në një dalje publike nga selia blu i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për të gjitha ato kompani që merren me mirëmbajtjen e rrugëve dhe që marrin lekë nga taksapaguesit shqiptarë.
“Kjo e shtunë vazhdon të ngelet e vështirë për mijëra familje të izoluara nga bora, ndërkohë që qindra milionë euro janë vedhur nga qeveria në bashkëpunim me oligarkë dhe me kompani të papërgjegjshme. Në vend që të bëjnë pastrimin e segmenteve rrugore, kanë vjedhur paratë dhe po i shijojnë ato me pushime luksi. Unë i bëj thirrje prokurorisë që të nisë hetimet se ku kanë shkuar lekët e taksa paguesve shqiptar që kanë përpirë këto kompani, dhe të marrin përgjegjësi. Këto para duhet t’i rikthehen taksapaguesve. Dua të falënderoj dhjetra aktivist të shoqërisë civile dhe të PD që në këto 72 orët e fundit ia kanë dalë që të çajnë disa prej fshatrave duke i furnizuar me ushqime”, tha Basha.
Basha tha më tej se, kjo gjendje e rënduar të ftohti është përjetuar shumë keq edhe nga qindra studentë të ngujuar në fakultetet e Tiranës. “Përkundër kushteve të vështira me një mendësi kriminale, Rama ka urdhëruar ndërprerjen e dritave, ngrohjes dhe ndërprerjen me ushqime, dhe ka përdorur policinë për të dhunuar studentët. Kjo është shkelje flagrante e ligjit, me urdhër politik të Ramës”, u shpreh Basha.