Mijëra prindër në Tiranë peticion kundër qeverisë: Nxënësit jo mësim me turne!

Komuniteti i prindërve të shkollave të arsimit parauniversitar në qarkun e Tiranës është organizuar në një nismë të përbashkët për mospranimin e vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë, mbi zhvillimin e procesit mësimor me orë të reduktuara.

Një peticion po firmoset nga prindërit e nxënësve të shkollave në kryeqytet, që kërkon zhvillimin e programeve lëndore me orare të plota, 45-minutëshe.

Peticioni i është drejtuar ministres së Arsimit Evis Kushi dhe asaj të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Po ashtu, dokumenti i është dërguar për dijeni Presidentit Ilir Meta, komisionit parlamentar të edukimit, kryeministrit Edi Rama dhe Avokatit të Popullit Erinda Ballanca.

Peticioni

“Ne, komuniteti i prindërve të nxënësve të arsimit parauniversitar dëshmojmë se pas dy viteve shkollore të zhvilluara në situatë pandemie, fëmijët tanë hasin probleme dhe mangësi në njohuritë e tyre, të cilat ne ia atribuojmë formave jo efektive të mësimdhënies. Të vetëdijshëm për situatën që po kalon vendi, por të shqetësuar për fatin e fëmijëve tanë, e konisderojmë si kusht të panegociueshëm zhvillimin e programit lëndor mësimor të plotë me orë 45 minutëshe gjatë vitit shkollor 2021 – 2022. Nisur nga zhvillimi i mësimit me 2 apo 4 turne 25 ose 30 minutëshe, dhe nga pamundësia e fëmijëve tanë për të përthithur informacionin që përmban programi lëndor i përcaktuar me Urdhrin e Ministrit Nr.6, dt 10.01.2018 konstatojmë se po shkelet e drejta themelore kushtetuese për arsim, bazuar në nenin 57 të Kushtetutës”, lexohet në peticion.

“Vendimmarrja juaj dhe e institucioneve në varësinë tuaj është marrë në kundërshtim të plotë me nenin 6, pika 8 dhe nenin 62 të ligjit 69/2012 për Arsimin Parauniversitar duke cënuar të drejtën tonë si prindër për tu konsultuar mbi këtë vendimmarrje që prek drejtëpërdrejtë cilësinë e arsimimit të fëmijëve tanë. Vendimmarrja nuk është konsultuar as me Bordet dhe strukturat prindërore që njeh legjislacioni në fuqi. Gjithashtu konstatojmë se me vendimmarrjen tuaj keni cënuar barazinë në arsim duke diskriminuar një kategori të fëmijëve dhe duke favorizuar fëmijët e shkollave të tjera. Shteti shqiptar, bazuar në parimet kushtetuese duhet të garantojë kushte dhe mundësi të barabarta për të gjitha shkollat e arsimit publik dhe jopublik. Prandaj, bazuar në të drejtën që ligji dhe kushtetuta na njeh, si qytetarë, taksapagues dhe prindër, kërkojmë  Sigurimin e kushteve infrastrukturore për zhvillimin e programit lëndor (mësimit) me orare të plota (45minuta) për të gjithë nxënësit në shkollat e arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të përgjigjes Tuaj 5 ditë kalendarike pas depozitimit të kësaj kërkese pranë institucioneve përkatëse. Me konsideratë, Përfaqësueset e komunitetit të prindërve”, shkruhet në dokument.

2 18 1

Exit mobile version