Një tjetër hap përpara, Milani është tashmë edhe më pranë kinezëve. Kësti prej 30 milionë euro është derdhur në llogari të Fininvest, shumë e cila i bashkohet 20 milionë të tjerave të derdhura në datën 22 mars. Deri në këto momente, në llgarinë e kompanisë së drejtuar nga Silvio Berlusconi janë arkëtuar 250 milionë euro në total pas dy kësteve të para me nga 100 milionë. Aktualisht, të gjitha të dhënat të çojnë drejt shitjes së klubit brenda këtij sezoni, sepse deri në 14 prill duhet të derdhen edhe 350 milionë të tjera në mënyrë që kompania kineze “Sino-Europe Sports” të sigurojë shumicën e aksioneve.
Palët po punojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët për të gjitha çështjet që janë ende pezull, sepse grupi aziatik ka dhënë garanci që do të paguajë brenda pak ditësh edhe 50 milionë euro të tjera për të arritur në kuotën 300 milionë në total. Disa muaj më parë, presidenti Berlusconi dhe të interesuarit nga Kina arritën marrëveshjen për shitjen e pjesës dërrmuese të klubit për vlerën e 600 milionë eurove, por për shkak të problematikave të shumta finalizimi nuk u bë brenda vitit të shkuar dhe marrëveshja nuk u firmos. Në këtë mënyrë, sezonin e ri Milani mund ta nisë me pronarë të rinj, duke i dhënë fund epokës Berlusconi që e drejtoi Milanin për më shumë se tre dekada, duke e bërë një nga klubet më të titulluar të planetit.
Lajmi më sensacional që ka dalë në mediat italiane ditën e djeshme është se Ariano Galiani po planifikon të blejë ekipin bashkë me disa blerës të tjerë pas shpinës së Berluskonit. I menjëhershëm ka qenë përgënjeshtrimi i këtij lajmi nga vetë Galiani, i cili, kur është pyetur për këtë hipotezë, është përgjigjur me shaka:
“Të thuash që unë do ia ‘punoja Milanit’ në këtë mënyrë, është njësoj si të thuash ‘Tramp është kryetari i ISIS’. Vetëm një i çmendur mund të mendojë se do të isha në gjendje t’ia bëja diçka të tillë presidentit Berluskoni. Pjesën më të madhe të karrierës sime si dirigjent e kam kaluar te Milani dhe kemi përjetuar gjithçka së bashku me tifozët, si momentet e këqija, ashtu edhe ato të lavdishme.
Unë president së bashku me fonde investimi si Dojen dhe Mendes? Nuk ka kuptim, nuk do të bëja kurrë diçka të tillë pas shpinës së Berluskonit, punoj me presidentin prej 31 vjetësh, e përsëris vetëm një i çmendur do të kishte një plan të tillë”, deklaroi Galiani në përfundim të mbledhjes së krerëve të Serisë A, duke hedhur poshtë çdo hipotezë për përfshirjen e tij me blerës të mundshëm të kuqezinjve.
Kjo hipotezë duket se është ngritur vetëm për të trazuar ambientin kuqezi ose një mundësi tjetër mund të jetë që kinezët të kenë vendosur për të si president të ardhshëm të klubit të tyre (nëse marrëveshja për blerjen do të përfundonte me sukses). Gjithsesi mbetet për t’u parë se kush do të jetë blerësi i klubit të Silvio Berluskonit.