Milan vendos të ndryshojë sponsor

Lajmi ka qarkulluar prej ditësh, por dje është konfirmuar: Milan ka ndërprerë bashkëpunimin me sponsorin Adidas. Tani, shtypi italian është vënë në kërkim të konfirmimeve për emrin e sponsorit të ri të kuqezinjve. Siç është shkruar dje nga “La Gazzetta dello Sport”, nga korriku i ardhshëm sponsori i ri do të jetë Puma. Për zyrtarizimin e partneritetit të ri duhet pritur akoma, por duket se nuk ka më dyshime.
Lajmi për ndërprerjen e bashkëpunimit me Adidas është dhënë nga vetë klubi kuqezi në një komunikatë për shtyp: “Milan do të ndërpresë marrëdhëniet me Adidas në fundin e sezonit 2017-18. Ky partneritet, i filluar më 1 korrik të 1998-ës, është përbërë nga shumë suksese: 2 Kupa të Kampionëve, 1 Botëror për Klube, 2 Superkupa Europiane, 3 Serie A, 3 Superkupa të Italisë dhe 1 Kupë të Italisë”.
“Milan, lexohet më tej në komunikatë, ka nënshkruar një kontratë të re globale sponsorizimi me një kompani sportive ndërkombëtare që do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i 2018-ës. Identiteti i sponsorit të ri teknik dhe detajet e marrëveshjes do të zbulohen në muajt e ardhshëm”.

Exit mobile version