Milani dhe Napoli, në sulm për Giroud

Olivier Giroud, mes Milanit dhe Napolit. Sulmuesi francez sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Arsenali, pasi ka vendosur të mos e rinovojë kontratën që i skadon në vitin 2018 me “Topçinjtë”. Nisur nga kjo, Milani dhe shumë më tepër Napoli kanë shfaqur interes për Olivier Giroud dhe e shikojnë afrimin e ish-lojtarit të Montpellier si një mundësi shumë të mirë në merkaton e janarit. Të kaltrit qëndrojnë në pole position, për vetë faktin se Napoli është vendosur në kërkim të një sulmuesi për të zëvendësuar të dëmtuarin Arkadiuz Milik, por nuk mbetet pas as Milani.
Kuqezinjtë, të cilët me mbërritjen e kinezëve do të kenë shumë para për të shpenzuar mund ta blejnë 30-vjeçarin, për të patur një tjetër alternativë cilësore përkrah Carlos Baccës edhe pse nuk përjashtohet mundësia që kolumbiani të largohet. Shanset më të mëdha për të firmosur me Giroud, Napoli dhe Milani mund t’i kenë në merkaton e verës, por dy klubet italiane po lëvizin që ta bëjnë të mundur këtë transferim që në janar. Deklaratat e 30-vjeçarit se dëshiron të largohet për mungesë hapësirash nga Arsenali u kanë shërbyer si një sinjal drejtuesve të Napolit dhe Milanit për të përshpejtuar bisedimet. Vlera e tij në merkato është afërsisht 25 milionë euro, jo shumë për një sulmues që në karrierë ka arritur të realizojë 162 gola.

Exit mobile version